Sport

Tre pretendentë, gati për të zëvendësuar Luciano Spallettin në pankinën e Napolit!...

Julian Nagelsmann, Rafa Benitez apo Antonio Conte janë vetëm disa nga emrat që po luten për të zëvendësuar Luciano Spalettin, njeriun që solli “Scudetton” në Napoli, pas një thatësire 33-vjeçare.

31 Maj 2023, 19:36 Nga DOSJA
Tre pretendentë, gati për të zëvendësuar Luciano

ITALI - Goal.com ka publikuar tashmë emrat e parë në listën e Aurelio de Laurentiis për të pasuar Spalettin në stolin teknik të Napolit. Emri i parë i rëndësishëm është ai i Julian Nagelsmann, njeriu i shkarkuar me skandal nga Bayern Munich, por që nuk ka gjasa të arrijë nën këmbët e Vezuvit për arsye thjesht ekonomike.

De Laurentiis nuk është i gatshëm t'i ofrojë trajnerit të ardhshëm të napolitanëve një pagë më të madhe se 6 milionë euro në sezon dhe ky nivel nuk është i pranueshëm për Nagelsmann.

Një tjetër teknik i madh, i cili ka qenë në pankinën e kampionëve të rinj të Italisë, i kërkuar nga Aurelio de Laurentiis, është Rafa Benitez, i cili i solli Liverpoolit lavdinë e Champions League.

Trajneri spanjol, i fundit në Everton në 2022, fitoi një Kupë Italie dhe një Superkupë Italie me Napolin në mandatin e tij të mëparshëm dhe është ai që ndihmoi në krijimin e një skuadre të frikshme me si Gonzalo Higuain, Dries Mertens, Jorginho dhe Kalidou Koulibaly.

Së fundmi, emri i tretë i qarkulluar është ai i Antonio Conte, teknikut italian që ka qenë trajner i fundit në Premier League, te Tottenham. Këta tre emra janë ndër më të preferuarit e presidentit Aurelio de Laurentiis, i cili me gjasa do të përballet me një problem jo të thjeshtë për ta zgjidhur.

B.T (Dosja.al) 

Sondazh

Poll