Bota

Uganda vendos dënimin me vdekje për homoseksualët, reagojnë SHBA dhe BE: Ligji shkel të drejtat e njeriut

Legjislacioni është dënuar edhe nga aktivistët në Ugandë, të cilët kanë nisur procedurat ligjore për të rrëzuar ligjin me arsyetimin se ai është diskriminues dhe cënon të drejtat e personave LGBTQI

30 Maj 2023, 11:39 Nga m.s
Uganda vendos dënimin me vdekje për homoseksualët, reagojnë
Presidenti i Ugandës Yoweri Museveni

UGANDA- Në Ugandë janë miratuar ligje të reja të ashpra kundër homoseksualitetit. Gjithnjë e më shumë njerëzit dekurajohen të kërkojnë shërbime shëndetësore, nga frika e sulmeve dhe ndëshkimeve. Presidenti Museveni nënshkroi ligjin kundër homoseksualitetit. Aktet homoseksuale janë tashmë të paligjshme në Ugandë, shkruan BBC, por tani kushdo që dënohet, do përballet me burgim të përjetshëm.

Legjislacioni vendos dënimin me vdekje për të ashtëquajturat vepra të rënda, të cilat përfshijnë marrëdhënie homoseksuale me dikë nën moshën 18 vjeç ose kur dikush është i infektuar, si për shembull me HIV, raporton "Protothema".
Vetëm një deputet votoi kundër projektligjit gjatë votimit në parlamentin e vendit.

Legjislacioni është dënuar edhe nga aktivistët në Ugandë, të cilët kanë nisur procedurat ligjore për të rrëzuar ligjin me arsyetimin se ai është diskriminues dhe cënon të drejtat e personave LGBTQI. Një ligj i ngjashëm u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Ugandës në vitin 2014.

SHBA reagon

Ligji përbën një "shkelje tragjike" të të drejtave të njeriut dhe duhet të shfuqizohet, tha të hënën Presidenti i SHBA-së Joe Biden, duke përmendur pasojat e mundshme për ndihmën dhe investimet e SHBA-së në Ugandë.

Presidenti amerikan sqaroi se u kërkoi shërbimeve të tij që të studiojnë pasojat e këtij “ligji të turpshëm”, siç tha ai, në “të gjitha aspektet e bashkëpunimit” mes dy vendeve.

Kjo përfshin aftësinë e SHBA-së për të ofruar shërbime të sigurta sipas Planit të Emergjencave të Presidentit të SHBA-së, për Ndihmën ndaj SIDA-s (PEPFAR) dhe forma të tjera ndihme dhe investimi. Miratimi i këtij ligji "minon perspektivat për rritje ekonomike domethënëse për të gjithë vendin", shtoi Biden, duke bërë thirrje për "tërheqjen e menjëhershme të tij".

Miratimi i ligjit është “i mjerueshëm”, thotë Borell

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e përshkroi sot si "të mjerueshme" futjen në Ugandë të një ligji të ri kundër komunitetit LGBTI+, i cili parashikon dënime të rënda për marrëdhëniet e të njëjtit seks dhe "promovimin" e homoseksualitetit.

"Shpallja e ligjit kundër homoseksualitetit nga presidenti i Ugandës Yoweri Museveni është i neveritshëm. Ky ligj bie ndesh me të drejtat dhe detyrimet e njeriut, sipas Kartës Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe të Popullit, duke përfshirë angazhimet për dinjitetin dhe mosdiskriminimin, dhe ndalimin e mizorisë, dënim çnjerëzor ose poshtërues”, tha Borrell në një mesazh në Twitter.

"Qeveria e Ugandës ka detyrimin të mbrojë të gjithë qytetarët e saj dhe të respektojë të drejtat e tyre themelore. Dështimi për ta bërë këtë, do të dëmtojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë", shtohet në deklaratë.

presidenti i ugandës yoweri museveni

Sondazh

Poll