Bota

'Ruani qetësinë'/ Policia e Kosovës: Jemi duke monitoruar situatën në veri! Deri më tani asnjë incident

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, pasi në bashkëpunim me KFOR janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës. 

30 Maj 2023, 11:40 Nga a.l
'Ruani qetësinë'/ Policia e Kosovës: Jemi duke
Policia e Kosovës

KOSOVË- Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me situatën e protestave në veri të Kosovës. Sipas policisë, situata deri tani pranë selive komunale paraqitet e qetë dhe nuk raportohen për incidente. Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, pasi në bashkëpunim me KFOR janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës. 

"Policia e Kosovës kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike- Prishtinë, më 30 maj 2023 Referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura dje (29.05.2023), ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë. Protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë. Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme. Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato", njofton policia.  

Si paraqitet situata në veri të Kosovës? 

Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.

tensione në veri të kosovës policia e kosoves

Sondazh

Poll