Bota

Veriu i Kosovës/ KFOR: Situatë tejet e rrezikshme

Në një komunikatë për media në mbrëmje, KFOR-i ka dënuar “veprimet e njëanshme” dhe ka bërë thirrje për përmbajtje

27 Maj 2023, 10:05 Nga f.i
Veriu i Kosovës/ KFOR: Situatë tejet e rrezikshme
veriu i Kosovës

KOSOVË- Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka cilësuar tej mase të rrezikshme situatën që ka mbizotëruar të premten në veri të Kosovës, pas tensioneve që përcollën futjen e kryetarëve të rinj të komunave veriore në objektet e komunave. Në një komunikatë për media në mbrëmje, KFOR-i ka dënuar “veprimet e njëanshme” dhe ka bërë thirrje për përmbajtje, shkruan Kosovapress.

“KFOR-i është duke e monitoruar me kujdes situatën në komunat në veri të Kosovës, ku një seri përplasjesh janë shkaktuar nga hyrja me forcë e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është tej mase e rrezikshme për procesin e normalizimin dhe rrezikon përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto veprime të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë. Koordinimi midis të gjithë aktorëve është thelbësor për ta shmangur përshkallëzimin e mëtejmë. Prioritet i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”, thuhet në reagim.

Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?

Një ditë para në të 4 komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi, ku para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç u mblodhën edhe qytetarë. Situata u agravua ndërsa u dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe u hodh gaz lotsjellës nga policia për të shpërndarë protestuesit të cilët dogjën edhe makina. Protesta u zhvillua në shenjë revolte nga protestuesit serb kundrejt kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në katër komunat me shumicë serbe. 

tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll