Bota

Analiza: Rizgjedhja e Trump si president mund të ndryshojë rrjedhën e luftës në Ukrainë

Komentet e tij javën e kaluar në CNN ofrojnë prova të mëtejshme për ata që e akuzojnë atë se është shumë i afërt me Putinin. Ish-presidenti ka deklaruar se mund ta përfundojë luftën për 24 orë, por nuk ka specifikuar se si. Ai nuk pranoi të thoshte nëse donte që Ukraina të fitonte dhe u ankua për koston e ndihmës ushtarake.

22 Maj 2023, 15:54 Nga k.m.
Analiza: Rizgjedhja e Trump si president mund të ndryshojë
Donald Trump

SHBA- Komentet e Donald Trump gjatë një interviste për CNN ofrojnë prova të mëtejshme për ata që e akuzojnë se është shumë i afërt me presidentin rus Vladimit Putinin. Gjatë karrierës së tij të shkurtër por të trazuar politike, Donald Trump ka treguar një predispozitë për të favorizuar presidentin rus. E nëse Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, ka shumë të ngjarë që ky qëndrim më pozitiv ndaj Rusisë - i cili reflektohet në pjesën më të madhe të bazës republikane dhe në mesin e disa anëtarëve të partisë në Kongres - do të rishfaqet si një forcë lëvizëse në politikën amerikane.

Komentet e tij javën e kaluar në CNN ofrojnë prova të mëtejshme për ata që e akuzojnë atë se është shumë i afërt me Putinin. Ish-presidenti ka deklaruar se mund ta përfundojë luftën për 24 orë, por nuk ka specifikuar se si. Ai nuk pranoi të thoshte nëse donte që Ukraina të fitonte dhe u ankua për koston e ndihmës ushtarake.

Në vitin e parë të pushtimit, Ukraina mori ndihma prej 46,6 miliardë dollarësh nga Amerika dhe është donatori më i madh, e ndjekur nga Britania e Madhe, e cila ndihmoi në shumën prej 7,16 miliardë dollarësh dhe në vendin e tretë renditet, Gjermania me 3,8 miliardë dollarë.

Megjithëse Kongresi Amerikan ka miratuar miliarda dollarë ndihmë për Ukrainën që do të shpërndahen për një periudhë të gjatë kohore, si president, Trump mund të përdorë pushtetin ekzekutiv për ta ngadalësuar apo edhe për ta ndalur mbështetjen financiare. Në Britaninë e Madhe, e cila po rrit ndihmën për Ukrainën në mënyrë që tani përfshin raketa me rreze të gjatë veprimi, ekziston shqetësimi për implikimet e zgjedhjes së mundshme të Trumpit si president.

“Nëse Trump ndërpret furnizimin me armë, lufta do të përfundojë ashtu siç dëshiron Rusia, që është makthi më i keq i Perëndimit,”- thotë ish-shefi i Shërbimit Sekret Britanik, Sir Alex Younger. Mbështetja publike amerikane për ndihmën ndaj Ukrainës ka rënë që nga fillimi i luftës dhe sondazhi i agjencisë për kërkimin Pyu këtë javë tregoi një rritje të numrit të amerikanëve që besojnë se SHBA duhet të fokusohet më shumë në problemet në vend.

Jeffrey Traitsman, profesor i sigurisë kombëtare në Universitetin e New Haven në Konektikat, tha se ishte e paqartë nëse tërheqja e ndihmës amerikane do t'i jepte fund luftës brenda natës – pasi kjo gjë mund të zvarritet ende për vite apo dekada.

Një ditë pasi Trump bëri komentet, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha BBC-së se nuk kishte frikë për zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA. Duke minimizuar mundësinë e një dobësimi të marrëdhënieve SHBA-Ukrainë, ai tha: Zgjedhjet në SHBA bëhen për një vit, kush e di se ku do të jemi atëherë. Unë besoj se do të fitojmë deri atëherë. Kështu që do të shohim.

donald trump

Sondazh

Poll