Politike

“Babai i rivalit, shef regjimi në IEVP”, Shkëlqim Hoxha i Rrogozhinës: Nuk njoh rezultatin, kutia e burgut e manipuluar

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Rrogozhinës Shkëlqim Hoxha, i cili humbi pas përmbysjes së rezultatit në kutinë e fundit ku votuan të burgosurit e IEVP Rrogozhinë, ka deklaruar se nuk do ta njohë rezultatin.

16 Maj 2023, 13:27 Nga DOSJA
“Babai i rivalit, shef regjimi në IEVP”, Shkëlqim Hoxha i
Shkëlqim Hoxha

RROGOZHINE-Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Rrogozhinës Shkëlqim Hoxha, i cili humbi pas përmbysjes së rezultatit në kutinë e fundit ku votuan të burgosurit e IEVP Rrogozhinë, ka deklaruar se nuk do ta njohë rezultatin dhe do kërkojë hetim për kutinë e fundit dhe votat e pavlefshme.

Në një lidhje telefonike me "News 24", ai deklaroi se votat në një kuti ku kanë votuar të burgosurit janë të manipuluara.

“Është një sensibilizim për situatën dhe atë çfarë ka ndodhur gjatë procesit të numërimit. Pasi përfunduan të gjitha kutitë në të gjithë bashkinë Rrogozhinë dhe kur unë kryesoja me 57 vota para, doli asi nën mëngë që ishte kutia e burgut që përmbysi gjithçka dhe e nxori rivalin me 23 vota para. Por kjo kuti është një kuti komplet anonime, me zero transparencë, ku nuk dihet se çfarë ka ndodhur, nuk dihet se kush ka votuar, kujt i lejohej, kujt nuk i lejohej. Kush ishte komisioner. Ka zero transparencë, sepse ne nuk kemi pas asnjë akses, asnjë lloj mundësie për të qenë”, tha ai.

Hoxha pohoi se ka komunikuar edhe me drejtorin e burgut, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ai i mëshon faktit se ishte fitues dhe se këtë çështje do e ndjekë në rrugë ligjore. Në vazhdën e akuzave, ai u shpreh se ka konflikt interesi, pasi babai i kandidatit është shef regjimi në policinë e burgut dhe po ashtu kunati i tij punon infermier në burg.

“Ne nuk e dimë a kanë votuar ata që ishin në listë, a kanë votuar. A iu takon të votonin të gjithë, sepse në zgjedhjet e kaluara ishin 56 vetë që votuan, tani 110. Ka konflikt interesi aq më tepër që babai i kandidatit është shef regjimi në policinë e burgut. Kunati që ishte komisioner është infermier në burg, pra aty ka një konflikt të pastër interesi. Aq më tepër kur kandidati tjetër ka mundësinë që të shkojë në zyrën e drejtorit të burgut, të thërrasë të burgosurit në zyrë dhe të bëjë fushatë dhe për këtë ka dhe një hetim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Pra ata kanë pasur akses, kurse ne zero. Kam tentuar të lidhem me drejtorin e burgut, asnjë përgjigje. Në qoftë se me një kuti të manipuluar duhet të vendosë kush ta drejtojë bashkinë, OK jam dakord, por ndoshta do ishte më mirë të shkonte drejtor burgu dhe të na e linte bashkinë ne, verdikti i popullit të shkonte në vend. Është totalisht e manipuluar kutia e fundit. Do ndjek çdo rrugë ligjore që më takon.
Transparencë dhe hetim për kutinë e burgut. Do kërkoj rivlerësimin e votave të pavlefshme sepse janë 278 vota të pavlefshme dhe ato janë manipuluar. Është shprehur vullneti, por i kanë bërë shenja për t’i shpallur të pavlefshme. Nuk e njoh rezultatin. Do njoh atë rezultat që do të dalë pas këtyre verifikimeve”, tha Hoxha.

Partia Socialiste mori Rrogozhinën me 23 vota plus. Kandidati i PS-së Edison Memolla fitoi ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.

shkëlqim hoxha rrogozhine zgjedhjet lokale 14 maj 2023

Sondazh

Poll