Politike

Banorët e Bërxullës 6 muaj në rrugë, premtuan se nuk do të votonin por PS korri fitore spektakolare në Vorë

Por edhe pse akuzojnë qeverinë se po i vjedh dhe po iu merr pronat e tyre me dëmshpërblime qesharake, diçka ka ndryshuar.

16 Maj 2023, 11:10 Nga f.g
Banorët e Bërxullës 6 muaj në rrugë, premtuan se nuk do
Banoret e Berxulles

TIRANE- Banorët e fshatit Bërxullë kanë për mbi 7 muaj që protestojnë rregullisht kundër projektit të ndërtimit të autostradës Thumanë- Kashar. Rruga do të kalojë në banesat e tyre për të cilat, institucionet ende nuk kanë gjetur një zgjidhje. Aksi nga ku kalon rruga Thumanë-Kashar prek rreth 30 ha tokë në Berxullë dhe 20 banesa për të cilat banorët kërkojnë dëmshpërblim me çmimin e tregut.

Bërxulla është fshat që përfshihet në bashkinë e Vorës. Dy javë para zgjedhjeve, banorët u ulën në rrugë duke bllokuar  qarkullimin dhe duke u zotuar se 14 maji nuk ishte zgjidhja për ta. Banorët thanë se nuk do të marrin pjesë në votime duke i bojkotuar masivisht ato. 

Por në fakt, e vërteta është ndryshe. Në Vorë, dy kandidatët Blerim Shera dhe Indrit Hoxha e përfunduan garën me 9638 vota për Partinë Socialiste dhe 3471 për kandidatin e Bashkë Fitojmë. Diferenca mes tyre është mbi 5 mijë vota, ku një rol e ruan edhe Bërxulla.

Nga të dhënat e KQZ shihet se në këtë njësi administrative, edhe pse u deklarua bojkot, ai nuk u zhvillua dhe së dyti, edhe pjesëmarrja nuk ishte tregues i pakënaqësisë.

Konkretisht, nga 41% pjesëmarrje, ajo u përkthye në votë për kandidatin Blerim Shera në 2266 ose 61.11 %, ndërsa Indrit Hoxha i Bashkë Fitojmë mori 1442 vota ose 38.89 %. 

Vota në Bërxullë tregon për rezistencën e një grupi social të lirë që zgjodhi ti kundërvihej pushtetit në shi e në diell, para Ministrisë dhe institucioneve, duke sfiduar se do të linte jashtë PS. Por edhe pse akuzojnë qeverinë se po i vjedh dhe po iu merr pronat e tyre me dëmshpërblime qesharake, diçka ka ndryshuar. A do të ketë më protesta prej tyre për këtë projekt apo konflikti u shua ditët e fundit para 14 majit?

Kjo mbetet për tu parë. Por ky rast tregon më së miri se vota për PS e bën nul kauzën e protestës për të drejtën e pronës si një nga liritë themelore të njeriut. Sepse nuk mund të shpjegohet dot ndryshe, çfarë e detyron një qytetar të vendosë partinë para vetes. Në të kundërt, askush nuk mund të dilte të votonte nëse prona ishte problemi i vërtetë dhe nëse akuza se ajo po të vidhet për pak lekë do të ishte e vërtetë. Në këtë situatë, a mos duhet edhe njëherë të rishohim mënyrën sesi dhe pse protestohet, legjitimitetin e kauzës dhe përdorimin politik. Kush i nxjerr qytetarët për të protestuar dhe a janë ata shumicë në çështjet që mbrojnë?/Dosja.al

protesta ne berxulle rezultatet e zgjedhjeve zgjedhjet lokale 14 maj 2023

Sondazh

Poll