Aktualitet

Trafikimi i qenieve njerëzore në Shqipëri, parandalimet dhe rolet e organizatave ndërkombëtare

Pavarësisht përpjekjeve të organizatave ndërkombëtare për të luftuar këtë krim, trafikimi i qenieve njerëzore mbetet një problem i përhapur në vend.

11 Maj 2023, 14:14 Nga Izmir Akulli

Trafikimi i qenieve njerëzore në Shqipëri, parandalimet dhe rolet

Trafikimi i qënieve njerëzore mbetet një nga sfidat më të rëndësishme të vendit. Kjo është faktuar dhe  nga raportet e organizatave ndërkombëtare por dhe nga OJQ të ndryshme në vend. Sipas raportit të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2022, qeveria shqiptare nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qënieve njerëzore. Pavarësisht përpjekjeve të organizatave ndërkombëtare për të luftuar këtë krim, trafikimi i qenieve njerëzore mbetet një problem i përhapur në vend.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit të pasqyruara në raport, u hetuan 61 raste me 27 të dyshuar. Gjykatat, dënuan 11 trafikantë për trafikim të fëmijëve, teksa u identifikuan 154 viktima të mundshme. Nga këto, 61 ishin viktima të trafikimit seksual, 65 viktima të punës së detyrueshme dhe 33 viktima të llojeve të ndryshme të shfrytëzimit.  Nga 154 viktima të mundshme që u identifikuan, 99 ishin femra dhe 60 meshkuj; 112 fëmijë dhe 47 të rritur.

“Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë. Qeverisë i mungonin burimet për kujdes afatgjatë, punësim dhe përpjekje të tjera riintegrimi për të mbijetuarit dhe linja telefonike e drejtuar nga qeveria vazhdoi të mos funksiononte”, thuhet në raport.

Një nga format më të zakonshme të trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri është trafikimi seksual. Gratë dhe vajzat shqiptare joshen shpesh me premtime për punësim ose martesë dhe më pas detyrohen të prostituohen. Shumë prej këtyre viktimave shfrytëzohen brenda Shqipërisë, ndërsa të tjerat trafikohen në vendet fqinje, si Greqia dhe Italia, ose në Evropën Perëndimore, ku shiten në industrinë e prostitucionit.

Një formë tjetër e përhapur e trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri është trafikimi i punës. Shqiptarët shpesh trafikohen në vende të tjera, ku ata punojnë në bujqësi, ndërtim, shërbime shtëpiake apo dhe në punë të pista. Te punët e pista përfshihen trafiku i drogës, prodhimi i drogës por edhe trafikim i armëve. Këta punëtorë shpesh u nënshtrohen orëve të gjata, pagave të ulëta dhe kushteve çnjerëzore të jetesës.

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa për të adresuar problemin e trafikimit të qenieve njerëzore, duke përfshirë miratimin e ligjeve dhe zbatimin e politikave për parandalimin dhe luftimin e trafikimit. Në vitin 2021, qeveria nisi një Strategji të re Kombëtare Antitrafik për periudhën 2021-2025, e cila synon të forcojë kuadrin ligjor të vendit, të përmirësojë mbrojtjen e viktimave dhe të rrisë përpjekjet e zbatimit të ligjit.

OJQ-të gjithashtu luajnë një rol jetik në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri. Këto organizata ofrojnë mbështetje dhe ndihmë kritike për viktimat, duke përfshirë strehimin, ndihmën juridike dhe kujdesin mjekësor. OJQ-të gjithashtu punojnë për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje dhe për të promovuar masat parandaluese. Te OJQ-të përfshijmë këtu dhe dy nga organizatat më të mëdha sic janë UNICEF, për mbrojtjen e fëmijëve por edhe OSBE, e cila kontrollon, ndihmon dhe raporton shumë raste të trafikimit të qënieve njerëzore.

Megjithatë, duhet bërë më shumë për të adresuar shkaqet kryesore të trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri. Varfëria, mungesa e arsimit dhe përjashtimi social janë disa nga faktorët që i bëjnë shqiptarët të pambrojtur ndaj shfrytëzimit. Trajtimi i këtyre çështjeve kërkon një qasje të shumëanshme që përfshin krijimin e vendeve të punës, arsimin dhe programet e mbështetjes sociale.

trafikimi i qenieve njerezore osbe izmir akulli

Sondazh

Poll