Aktualitet

Trafikimi i njerëzve në kushte alarmante, historia e Andit, i riu që u largua për një jetë më të mirë por përfundoi duke u shfrytëzuar në ‘shtëpi bari’

Ishte i lumtur, pasi shumë të rinj nga i njejti vend si i Andit kishin shkuar më parë aty dhe punin me pagesa të larta.

11 Maj 2023, 14:09 Nga Izmir Akulli
Trafikimi i njerëzve në kushte alarmante, historia e Andit, i riu
Foto Ilustruese

Ishte vera e vitit 2018, Andi, një 32-vjeçar i martuar dhe me një fëmijë nga një fshat i thellë i Beratit vendosi që të emigronte drejt Anglisë për të siguruar një jetë më të mirë për familjen e tij. Paraprakisht kishte biseduar me personat që do e çonin në ishullin e largët dhe për punën që do të bënte. Ishte i lumtur, pasi shumë të rinj nga i njejti vend si i Andit kishin shkuar më parë aty dhe punin me pagesa të larta.

Isha i lumtur. Më në fund do bëja ca lekë më shumë dhe do largohesha nga fshati. Djalin do e çoja në një shkollë më të mirë, se tani ne për atë po punojmë’, shprehet Andi.

Por nuk shkoi gjithçka ashtu siç kishte shpresuar dhe menduar. Pasi shkoi në ishull me kamion dhe me 16 mijë paund borxh, ai nisi punë në ‘shtëpi bari’. Fillimisht ishte i kënaqur me pagesën që merrte edhe pse ishte e padrejtë, pasi vetëm 30% të fitimit nga prodhimi. Pjesa tjetër i shkonte të zotit të ‘shtëpisë së barit’.

Arrita që të shlyeja borxhet që mora për të ardhur këtej. Rruga zgjati disa ditë se erdhëm me kamion. Pastaj po punoja për vetën. Kam dërguar disa herë lekë në shtëpi. Nusja më ka thënë që djalin e ka marrë malli. Flasim shpesh me kamër, Por nuk flasim për punën time se na përgjojnë,’ tha ai.

Por pas disa kohësh, kur shtëpitë e barit ishin përhapur shumë në Angli dhe bandat e ndryshme i grabisnin ato dhe u merrnin prodhimin për ta shitur vet. Kjo gjë i ndodhi edhe Andit.

Erdhën disa persona me armë. Nuk ishin shqiptarë për me ngjyrë, Flisnin anglisht. Ne qëndruam pa bërë gjë nga frika semos na qëllonin. Ata morën të gjithë mallin me makinë edhe ikën nga shtëpia që ishim,’ shtoi Andi.

Për shkak të kësaj, Andi por dhe bashkëpunëtori i tij, janë detyruar që të punonin pa pagesë derisa të shlyenin mallin që i'u vodh.

Nuk ishte faji jonë që na e vodhën mallin. Nuk e dinim se nga e morën vesh. Por tani duhet të punojmë për të shlyer të gjithë mallin që na morën. Kështu ramë dakord që në fillim, kur erdhëm këtej,’ tha ai.

Në Shqipëri Andi, ka lënë prindërit, gruan dhe djalin e tij. Babai i tij, 60-vjeçari Qemal, ishte i moshuar e i rrahur nga jeta , dukej në fytyrë që prej kohësh nuk bënte një gjumë të mirë. Natyrisht ishte i shqetësuar për djalin e tij, siç do prind tjetër për fëmijën e tij do ishte.

Lanet qoftë. Po na ha shpirtin çdo ditë e më shumë. Na rri mëndja vetëm tek ai. Si është, ça bën. Kur do vi këtëj. Na ka marrë malli. Djali i është rritur, pyet se ku do takojë babanë e tij’, këto ishin fjalët e para të babait të tij.

E pyeta nëse djali u kishte dërguar para, fillimisht nguroi të përgjigjej por me ngulmimin tim tregoi se fillimisht u kishte dërguar disa herë. Por tani siç më tha duhet të shlyej mallin që i ishte vjedhur në Angli.

Nuk ka dërguar më. Po bën ca kohë dhe nuk e dimë se sa ka për të shlyer, sepse nuk na tregon. Ne flasim shpesh me atë, por nuk e përmendim punën e atij. Lekët na i sillte ai që e dërgoi andej. E takonim çdo tre muaj, por tani sna ka marrë më në telefon’ shtoi Qemali.

Insistova të na tregonte disa gjëra më shumë, por refuzoi. I ishte thënë të mos fliste për këtë me askënd. Por fatkeqësisht kjo nuk është e vetmja histori me një zhvillim të tillë. Shumë të rinj largohen drejt Anglisë dhe vendeve të tjera me shpresën për një jetë më të mirë, por pa i ditur se çfarë i pret andej.

Shënim: Emrat dhe mosha e përdorur në këtë artikull janë vendosur redaksional, personat në artikull kanë emra dhe moshë të ndryshme.

shtepi bari izmir akulli

Sondazh

Poll