Aktualitet

Vrasja e Endri Mustafës, dosja dërgohet në gjyq me një të pandehur, Ibrahim Licin. Pezullohet gjykimi për 1 vit

Ibrahim Lici është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit për vrasjen e Mustafës, por ende nuk është prangosur edhe pse ai pretendon se ndodhet në Turqi duke lëvizur lirshëm në këtë vend.

10 Maj 2023, 15:22 Nga k.m.
Vrasja e Endri Mustafës, dosja dërgohet në gjyq me një
Ibrahim Lici dhe Endri Mustafa

SHKODËR- Prokuroria e Shkodrës ka vendosur të mbyllë hetimet dhe dërgojë për gjykim dosjen penale kundër Ibrahim Licit, pasi akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, por gjithashtu për "armëmbajtje pa leje". Dosja penale tashmë është dërguar në Gjykatën e Shkodrës, por për shkak të mos arrestimit të Licit, gjykata ka urdhëruar pezullimin e gjykimit për një periudhë 1 vjeçare. Siç bën me dije gazetari Elton Qyno për "OraNews", prej muajit maj të 2021, Ibrahim Lici është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit për vrasjen e Mustafës, por ende nuk është prangosur edhe pse ai pretendon se ndodhet në Turqi duke lëvizur lirshëm në këtë vend.

Prokurorët e Shkodrës, kanë ngritur akuzën ndaj tij, duke u bazuar në dëshminë e parë që 15-vjeçari Ergys Malja ka dhënë në deklarimin e tij në Policinë e Shtetit. Ai ka pretenduar se Lici e kishte drejtuar që ta nxirrte Endri Mustafën nga banesa e tij dhe ta dërgonte në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”.  Aty, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën. Aty me motor , duke e lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje, Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës së mitur, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie. Ndërsa pritet që edhe Lici të përballet me gjykatën.

Ibrahim Lici, pretendon se ditën kur ka ndodhur krimi dhe orën e ngjarjes, ai nuk ka qenë fizikisht në Shkodër, por ndodhej në Tiranë dhe shton se për këtë ka prova dhe pamje filmike që sipas tij janë të dorëzuara në Prokurori. Të gjithë këta persona duken në pamjet filmike të dorëzuara në prokurori. Por gjatë një ekzaminimi që ekspertët e laboratorit të policisë i kanë bërë pamjeve filmike, ata kanë dalë në përfundimin se nuk ishin në gjendje të shpreheshin nëse personi në pamjet filmike është Ibrahim Lici. Nisur nga kjo situatë, i janë referuar dëshmisë së parë të Ergys Maljas.  Por nga ana tjetër, vetë nëna dhe gruaja e Endri Mustafës, e kanë përjashtuar në mënyrë kategorike, implikimin e Ibrahim Licit në vrasjen e djalit të tyre. Në dëshminë që ka dhënë përpara gjykatës së Shkodrës Fahrije Mustafa, nëna e Endri Mustafës, tregon se djalin e saj e ka vrarë Edison Arazi që në Shkodër njihet me nofkën “Coli”, megjithatë versioni i tyre nuk është marrë parasysh. 

Endri Mustafa u gjet i vrarë në zonën e Livadheve maj të 2021 në Shkodër, dy ditë pasi e shoqja dhe familja e tij kishin bërë kallëzim në polici. Gruaja e viktimës, Ingridi tregoi se ka qenë 15-vjeçari që me foton e një kali e nxorri nga shtëpia dhe e çoi në duart e vrasësve. Pavarësisht shpalljes në kërkim të Licit, Ingrid Mustafa siguroi në deklaratë për mediat se të shoqin nuk ia ka vrarë fisi Lici dhe as fisi Bajri. Gishtin ajo e drejtoi vetëm tek 15-vjeçari. Ndërsa i mituri është tërhequr nga bashkëpunimi me drejtësinë, duke mos dhënë asnjë detaj më për vrasjen që mendohet se ka kryer në bashkëpunim me Ibrahim Licin.

vritet endri mustafa ibrahim lici

Sondazh

Poll