Bota

Ofendoi Kurtin në Kuvend, kush është deputeti Kujtim Shala, anëtar i Akademisë së Shkencave

Ka qenë deputeti dhe akademiku Kujtim Shala, që në një moment i është drejtuar kryeministrit Albin Kurtit me një sharje të rëndë.

23 Mars 2023, 14:08 Nga I.A
Ofendoi Kurtin në Kuvend, kush është deputeti Kujtim Shala,
Kujtim Shala

KOSOVË- Seanca e sotme plenare në Kosovë ka degraduar në ofendime dhe sharje. Ka qenë deputeti dhe akademiku Kujtim Shala, që në një moment i është drejtuar kryeministrit Albin Kurtit me një sharje të rëndë.

"Pu të q... tradhtarin e nanës," dëgjohet të thotë deputeti Shala.

Por kush është akademiku Shala?

Kujtim Shala është poet lirik, studiues letrar, profesor i letërsisë. Një prej studiuesve letrarë bashkëkohorë më të njohur, me një prej veprave studimore më të gjera të historisë së studimeve letrare shqipe. U lind më 28 shkurt 1974, në Loxhë të Pejës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Pejë. Studimet për Letërsi Shqipe i ka kryer në Universitetin e Prishtinës ku ka bërë dhe doktoranturën. Po ashtu ka bërë studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, në fushën e teorive letrare (2004-2005). 

Karrierën në Universitetin e Prishtinës e ka nisur si asistent, ka vijuar si profesor asistent, më pas si profesor i asocuar dhe në fund është vendosur si profesor i rregullt. Gjatë këtyre viteve, në Universitetin e Prishtinës, ka ligjëruar, në shkallën e studimeve Bachelor, Master dhe në Shkollën doktorate lëndë të letërsisë shqipe, të letërisë botërore, të kritikës letrare, të fushës teorike-letrare, të estetikës dhe të retorikës. Po ashtu, ka ligjëruar Letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka fituar Çmimin Kombëtar për Letërsi “Azem Shkreli”, si dhe çmime të tjera letrare në Kosovë e jashtë saj. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në dhjetor të vitit 2016, ndërsa Anëtar i rregullt (akademik) në dhjetor të vitit 2020. Ndërsa në maj 2021 u zgjodh Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

kujtim shala albin kurti

Sondazh

Poll