Bota

Plani i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi/ Ambasadori italian: Hap i parë shumë i rëndësishëm drejt njohjes de-jure

Ai thotë se plani i BE-së për dialogun është marrëveshja më e mirë që mund të kishte në këtë fazë mes Kosovës dhe Serbisë.

18 Mars 2023, 11:55 Nga a.l
Plani i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi/ Ambasadori italian: Hap
Antonello de Riu

KOSOVË- Ambasadori italian në Prishtinë, Antonello de Riu deklaron se plani i Bashkimit Evropian për dialogun është një hap i rëndësishëm drejt njohjes de-jure të Kosovës nga Serbia. Ai kërkon nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, që në takimin e sotëm në Ohër të shfrytëzojnë momentumin e krijuar dhe të arrijnë një marrëveshjen bashkë me aneksin për zbatimin e tij. Sipas tij përfitimet nga kjo marrëveshje janë të mëdha, veçmas në aspektin ekonomik.

Në një intervistë për median kosovare KosovaPress, ai thotë se plani i BE-së për dialogun është marrëveshja më e mirë që mund të kishte në këtë fazë mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes saj, sipas tij, ndodh edhe njohja de-facto e Kosovës, mirëpo thotë se Kosova sapo të mund të aplikojë për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare, sovraniteti i vendit do të njihet globalisht dhe njohja de-jure do të mbet vetëm hap formal.

Kjo është marrëveshja më e mirë që mund të kishim në këtë fazë. Megjithatë tashmë është një njohje de-facto e sovranitetit ndërkombëtar të këtij vendi tashmë globalisht, e jo vetëm nga miqtë… Është vetëm një hap i parë shumë i rëndësishëm drejt njohjes de-jure, që do të ndodhë në një moment të ardhshëm”, thotë ai.

Megjithatë, ai thekson se institucionet në Kosovë duhet të kenë angazhim politik për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç do të diskutojnë për planin e Bashkimit Evropian për dialogun dhe zbatimin e tij.

antonello de riu dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll