Politike

Serbia e Kosova pranuan planin evropian, Rama: Moment historik! Kurti doli nga ‘kurthi i së djeshmes’, mos e akuzoni për tradhëti

Rama shkruan se kjo është rruga e duhur që duhej ndjekur dhe që i çon të dyja vendet drejt së ardhmes.

28 Shkurt 2023, 10:15 Nga f.m;f.g
Serbia e Kosova pranuan planin evropian, Rama: Moment historik! Kurti doli nga
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama e ka komentuar si moment historik pranimin e planit franko-gjerman nga Kosova dhe Serbia, pas takimit që zhvilloi kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se kjo është rruga e duhur që duhej ndjekur dhe që i çon të dyja vendet drejt së ardhmes. Kreu i qeverisë kërkon gjithashtu që kryeministrin e Kosovës të mos e akuzojnë për tradhëti, pasi sipas tij, ka bërë gjënë e duhur duke dalë nga ‘kurthi i të djeshmes’.

Postimi:

Paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe bashkëpunimit. E mirëpres pëlqimin e dy palëve për Marrëveshjen për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe unë inkurajoj fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë. Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet një besimtare dhe një model roli. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën. Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë.

Zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë./Dosja.al

edi rama albin kurti plani franko-gjerman aleksander vucic

Sondazh

Poll