Politike

'Truproja' i Ervis Martinajt, mbyllen hetimet për Jeton Lamin, akuzohet për shpërdorim detyre

Sipas ligjit, brenda afatit 10 ditor avokati i të akuzuarit duhet të paraqesë pretendimet e tij. Më pas dosja do të dërgohet për gjykim.

17 Shkurt 2023, 12:52 Nga F.M
'Truproja' i Ervis Martinajt, mbyllen hetimet për Jeton Lamin,
Ervis Martinaj dhe Jeton Lami

TIRANË- Ish-efekivi i policisë Jeton Lami do të përballet me akuzën ‘shpërdorim detyre’. Gjashtë muaj pas arrestimit të tij, Prokuroria e Kurbinit ka mbyllur hetimet në lidhje me këtë çështje dhe i ka komunikuar akuzën ish-agjentit të Forcës Operacionale. Sipas ligjit, brenda afatit 10 ditor avokati i të akuzuarit duhet të paraqesë pretendimet e tij. Më pas dosja do të dërgohet për gjykim.

Jeton Lami u arrestua pasi u akuzua se ka ndihmuar Ervis Martinajn të lëvizte gjatë kohës që ishte në kërkim. Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.

 

ervis martinaj jeton lami

Sondazh

Poll