Politike

Berisha citon Orwell në protestë: Është akt revolucionar të thuash të vërtetën në kohë gënjeshtre! Nisi revolucioni i madh demokratik!

Berisha u shpreh se sot Shqipëria është në të gjitha mediat botërore për skandalin e McGonigal, falë kryeministrit Rama. 

11 Shkurt 2023, 13:21 Nga F.M
Berisha citon Orwell në protestë: Është akt revolucionar
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha e ka konsideruar një cunam opullor protestën e nisur sot, më 11 shkurt. Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha tha se Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në vend dhe se ka vjedhur votat e pasuritë publike të shqiptarëve. Berisha u shpreh se sot Shqipëria është në të gjitha mediat botërore për skandalin e McGonigal, falë kryeministrit Rama. 

Pjesë nga fjala e Berishës:

Të nderuar të pranishëm në këtë cunam popullor të revolucionit demokratik. Shqiptarë dhe shqiptare, kudo që jeni, që keni pritur me padurim këtë ditë, ditën e madhe të siparit të revolucionit demokratik, të përmbysjes së monizmit të dytë në Shqipëri. Një përshëndetje vëllazërore kudo që ndodheni! Miqtë e mi, do e nis fjalën time me një shprehje të të famshmit, Xhorxh Oruell, i cili shkruan se është akt revolucionar të thuash të vërtetën në kohë gënjeshtre. Ndaj dhe sot, ditën e siparit të revolucionit tonë demokratik, për përmbysjen e monizmit dhe fitores së demokracisë, do themi të vërtetat tona. Qëllimi më themelor i këtij revolucioni që nis sot është të mbrojmë të vërtetat, por edhe të bëjmë çdo sakrificë që ato të triumfojnë.
Rroftë fitorja! Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Evropë, është narkokrati që duke vjedhur votën, buxhetin dhe pasuritë publike të shqiptarëve, është shndërruar në shpresëvrasësin më të madh në Evropë dhe një nga shpresëvrasësit më të mëdhenj në botë. Të gjithë e mbajnë mend baltën që hodhi Edi Rama mbi Opozitën, për ta vrarë atë. Të gjithë i mbajnë mend masat që ka marrë për të mos zhvilluar protesta. Atentatin që organizoi, por ai mori turpin botëror, zëri ynë ushtoi në të gjithë botën. E vërteta kurrë nuk mbulohet dot, e vërteta triumfon gjithmonë, si rrezja e diellit e bëhet gjithmonë më ndriçuese në Shqipëri, por edhe tek miqtë tanë kudo në botë. Sot mediat e të gjithë botës flasin për ne, mbajnë në faqe të para skandalin më të madh korruptiv të këtij shekulli. 

Opozita nisi sot protestën në orën 12:00. Kjo protestë është cilësuar si sipari i një revolucioni për largimin e qeverisë Rama. Protesta u paralajmërua pas publikimit të dosjes së ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal, i akuzuar oër korrupsion. Dosja zbuloi dhe takimet e McGonigal me kryeministrin Rama dhe ndikimin e kreut të qeverisë në FBI për të dobësuar Opozitën. Protestuesit u grumbulluan fillimisht para selisë blu dhe më pas me shtimin e tyre kanë zbritur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Turmës i është bashkuar dhe kryedemokrati Sali Berisha. Pas tij në shesh ka dalë dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta e deputetja Monika Kryemadhi. Policia e Shtetit ka mobilizuar rreth 1200 efektivë për mbarëvajtjen e protestës së opozitës, e cila do të mbahet këtë të shtunë para Kryeminsitrisë.

sali berisha

Sondazh

Poll