Politike

Shkurtimi i rrugës 'Ibrahim Rugova', PD: Akt flagrant anti-politik e anti-kulturor i Ramës dhe Veliajt

Garo ka theksuar se ky veprim është i dyshes Rama-Veliaj, të cilët janë të padenjë dhe të paudhë.

6 Shkurt 2023, 14:16 Nga A.B
Shkurtimi i rrugës 'Ibrahim Rugova', PD: Akt flagrant
Floriana Garo

TIRANË-Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses, Floriana Garo ka dënuar zëvendësimin e emërtimit të rrugës ‘Ibrahim Rugova’ në Tiranë nga kryebashkiaku Erion Veliaj, duke e quajtur një akt flagrant, anti-politik e anti-kulturor. Në deklaratën për shtyp nga selia blu, Garo ka theksuar se ky veprim është i dyshes Rama-Veliaj, të cilët janë të padenjë dhe të paudhë.

DEKLARATA

Janë me qindra rrugët e Tiranës, me emra atentatorësh, bablokësh të Bllokut apo të pleqve të fiseve të komunarëve të Rilindjes, që Rama-Veliaj mund të kishte zgjedhur për “Dëshmorët e 4 shkurtit”. Nuk hoqi apo shkurtoi përgjysmë asnjë prej tyre, sepse ata kanë një afinitet me dhunuesit, ata kulturorë dhe politikë, por u shkoi mendja e mbrapshtë te Ibrahim Rugova. Tirana ka sot plot rrugë me emra bashibozukësh, dhe një rrugë më pak me emrin e një prej etërve themelues të Kosovës së lirë, Presidentit në robëri dhe në liri, studiuesit të Pjeter Bogdanit dhe Gandit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Partia Demokratike e dënon si të padenjë dhe të paudhë, si akt flagrant anti-politik e anti-kulturore këtë veprim të Rama-Veliajt. Këta ithtarë të cancel culture dhe i ëoke-izmit, ngatërrojnë shportën me fiq dhe letrat murale me kaskadën e kontributeve të Presidentit Rugova për shqiptarinë. Ai jo vetëm shëmton kryeqendrën e shqiptarëve, por u thotë shqiptarëve të Kosovës se simbolet e tyre, simbolet tona të përbashkëta, nuk vlejnë. U thotë luftëtarëve të lirisë e pavarësisë se Rama-Veliaj i marrin urdhrat nga Beogradi, si për kufijtë ashtu dhe për rrugët. Ky akt jo vetëm cënon të djathtën historike dhe moderne, të këtej dhe andej kufirit, por provokon në mënyrë të hapur, pak ditë nga përvjetori i 15-të i Pavarësisë së Kosovës, për të cilën Ibrahim Rugova dha një kontribut vendimtar.

E kuptojmë se pse, emra si Rugova i sëkëlldisin këta lejfenë të kulturës së anullimit. Të gjendur në shoqërinë e merhumëve me pak dije e shumë zullume, të trafikantëve të drogës, votave dhe pasurive publike, ata mendojnë se historia nis me, Edin, Erin, Elisën, Sajmen apo Alexin e dashur dhe bandën e tyre, ku shkëlqejnë drejtoreshat bandite. Partia Demokratike zotohet se do ta kthejë emrin e Ibrahim Rugovës aty ku ishte. Siç do të kthejë të gjitha vendimet të cilat anulojnë historinë e shqiptarëve në favor të Rilindjes. Jo asaj Kombëtare, por të Sojsorollopit që kërkon të bëjë politikë edhe aty ku ka vendosur njëherë e mirë historia.

Reagimi lidhet me një vendim të Bashkisë së Tiranës për ti ndryshuar emrin rrugës "Ibrahim Rugova". Kjo rrugë ndodhet pranë "Shallvareve". Në vitin 2012, emri i rrugës ishte "Dëshmorët e 4 shkurtit" dhe iu ndryshua. 3 ditë më parë, Këshilli bashkiak bëri një ndryshim te emërtesave duke vendosur që segmenti nga "Banka e  Shqipërisë’, i cili prej disa vitesh quhej "Ibrahim Rugova: është saktësuar në emërtimin “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, ndërsa në vijim segmenti i radhës të quhet "Ibrahim Rugova", nga Ura e Lanës deri te hyrja e digës. Ky vendim ka hapur debat në Shqipëri dhe Kosovë./Dosja.al

floriana garo rruga ibrahim rugova

Sondazh

Poll