Politike

“Qeveria po tallet me studentët”, Erisa Xhixho: Bursat vonohen nga 4 deri në 6 muaj

Me anë të një postimi në Facebook, Xhixho shprehet se ndonëse vlera e bursave është shumë e ulët, qeveria po zvarrit marrjen e tyre nga studentët.

27 Janar 2023, 13:29 Nga I.A
“Qeveria po tallet me studentët”, Erisa Xhixho: Bursat vonohen
Erisa Xhixho

TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka akuzuar qeverinë se po tallet me studentët duke zvarritur pagesën e bursave, që sipas saj vonohen nga 4 deri në 6 muaj. Me anë të një postimi në Facebook, Xhixho shprehet se ndonëse vlera e bursave është shumë e ulët, qeveria po zvarrit marrjen e tyre nga studentët. Po ashtu Xhixho ka shtuar se kjo është arsyeja pse të rinjtë largohen çdo ditë.

Postimi i plotë:

Të përjashtuar nga të gjitha paketat e rezistencës dhe pseudo “Pakoja e madhe”, qeveria vijon të tallet me studentët, duke zvarritur pagesën e bursave. Në kulmin e krizës së çmimeve, që ka dyfishuar koston e tyre të jetesës, studentëve shqiptarë nuk u jepet as ajo që me të drejtë u takon. Bursat sociale dhe ato të ekselencës për studentët vonohen nga 4 deri në 6 muaj. Edhe pse vlera e tyre nuk i kalon 10 mijë lekë të reja, qeveria e shpërfill nevojën dhe meritën e studentëve, duke zvarritur me muaj të tërë disbursimin nga fondi i bursave.

Asgjë më shumë se kjo zvarritje nuk flet për qasjen që kjo qeveri ka për arsimin dhe të rinjtë e këtij vendi. I bëj thirrje qeverisë t’i japë studentëve bursat dhe pagesën që u takon, madje me dëmshpërblimin për vonesat e shkaktuara. Kjo është arsyeja pse çdo ditë qindra të rinj marrin rrugët e Europës, shpesh duke rrezikuar edhe jetën. Një qeveri që përbuz të rinjtë i ka ditët të numëruara!

erisa xhixho

Sondazh

Poll