Aktualitet

Ish-prokurorja Elisabeta Imeraj: 21 janari është hetuar dhe rihetuar, pse po e tejçon politika

Imeraj tha se nuk mund të hetohet një çështje për të cilën gjykata ka marrë vendim.

23 Janar 2023, 22:59 Nga F.M
Ish-prokurorja Elisabeta Imeraj: 21 janari është hetuar dhe rihetuar,
Elisabeta Imeraj

TIRANË- Ish-prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj thotë se transkriptet e reja të publikuara nga gazetari Artan Hoxha, lidhur me 21 janarin e vitit 2011, nuk mund të shërbejnë si provë. E ftuar në emisionin “Review” në Euroneës Albania, Imeraj tha se nuk mund të hetohet një çështje për të cilën gjykata ka marrë vendim.

“Në aspektin dokumentar, të të gjithave provave të administruara në dosje, ne nuk kemi sot një dijeni, apo një të dhënë konkrete, prej së cilës të burojë si provë, që ky urdhri është nga një person, çfarëdo lloj pozicioni që ai të ketë pasur. I referohem deklarimeve të personave të pyetur. Në këtë drejtim, nëse ka dhe burojnë veprime të tjera hetimore, që propozohen, qoftë edhe nga ky audiopërgjimi që disponon zoti Hoxha, që mund të merret, të analizohet, detajohet dhe i jepet rruga për të vijuar në hetime, atëherë neni 449, nuk afekton pjesën e gjësë së gjykuar që lidhen me subjekte që kanë marrë një vendim. Ne nuk mund të ngremë një akuzë të re, për subjekte të cilat drejtësia e ka dënuar për atë fakt. Nëse në raport me hetimet që po zhvillohen për gjetjen e autorësisë për vrasjen e Aleks Nikës, dalin detaje që e lidhin me këtë në tërësi, nuk e pengon njeri që të vazhdojë hetimet në këtë aspekt”, theksoi ajo.

12 vite pas tragjedisë, gazetari Artan Hoxha publikoi bisedën e zhvilluar mes Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës, me vartësit e tij, të cilët qëlluan drejt protestuesve në 21 janar para kryeministrisë. Ai zbardhi audio-përgjimet që sipas tij tregojnë se vrasjet u bënë me urdhër, pasi në bisedë dëgjohet qartë porosia e Prendit për vartësit më 21 janar.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një "grusht shteti" për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm. Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg./Dosja.al

elisabeta imeraj pergjimet e 21 janarit

Sondazh

Poll