Aktualitet

Artan Hoxha rrëfen takimin dy orë e gjysmë në polici për 21 Janarin

Hoxha sqaroi se nuk bëhet fjalë për një procedim të ri, pasi çështja e vjetër e 21 janarit nuk është pushuar pasi vrasja e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës janë edhe sot pa autorë.

23 Janar 2023, 21:28 Nga F.M
Artan Hoxha rrëfen takimin  dy orë e gjysmë në polici
Artan Hoxha

TIRANË- Gazetari Artan Hoxha tregoi se është pyetur për 2 orë e 30 minuta në policinë e Tiranës lidhur me atë që ai e cilësoi indicie që të çon te prova për vrasjet në 21 janar. Në një prononcim për emisionin Now në Euronews Albania, Hoxha sqaroi se nuk bëhet fjalë për një procedim të ri, pasi çështja e vjetër e 21 janarit nuk është pushuar pasi vrasja e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës janë edhe sot pa autorë.

"Videoja e 21 janarit që unë kam publikuar nuk ishte provë, por indicie që çoi Prokurorinë tek prova, që ishte predha e Agim Llupos në trupin e Ziver Veizit. Në rastin konkret i urdhrave audio nuk është provë, është indicie për të shkuar te prova. Se e kemi gjetur pas 12 vjetësh, nuk është se kisha në xhep dhe se nxora. Unë e dija që politika do ta shfrytëzonte, por që sot kujtohet edhe qeveria të bëjë kallëzim, unë skam lidhje me këto kallëzim, jam marrë vetëm me familjarët e Aleks Nikës që kanë të drejtë ët dinë kush e vrau djalin e tyre”, tha Hoxha.

Sot, Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimin e audio-përgjimet e publikuara nga gazetari Artan Hoxha lidhur me tragjedinë e 21 janarit të vitit 2011. 12 vite pas tragjedisë, Hoxha publikoi bisedën e zhvilluar mes Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës, me vartësit e tij, të cilët qëlluan drejt protestuesve në 21 janar para kryeministrisë. Ai zbardhi audio-përgjimet që sipas tij tregojnë se vrasjet u bënë me urdhër, pasi në bisedë dëgjohet qartë porosia e Prendit për vartësit më 21 janar.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një "grusht shteti" për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm. Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg./Dosja.al

artan hoxha pergjimet e 21 janarit

Sondazh

Poll