Aktualitet

Motra e Saimir Sulës: Ulsi Manja më dëgjoi, më përqafoi dhe më premtoi, më pas më bëri bllok

Tregon takimin me ministrin.

22 Janar 2023, 17:04 Nga F.M
Motra e Saimir Sulës: Ulsi Manja më dëgjoi, më përqafoi
Majlinda Sula

TIRANË- Majlinda Sula, motra e Saimir Sulës, të riut shqiptar që erdhi pa zemër në atdhe ka treguar se ministri Ulsi Manja e ka bllokuar. Në një prononcim nga bulevardi ku mbajti sot një protestë, Majlinda Sula thotë se Manja e ka pritur në zyrë në ditë pushimi dhe i ka premtuar që do t'ia zgjidhë çështjen, por më pas i ka bërë bllok. 

"Zoti ministër më takoi para një viti, më priti në ditë pushimi, nuk e di pse zgjodhi një ditë pushimi. Më premtoi dhe dola shumë e kënaqur që aty. Dukej shumë i kujdesshëm, më premtoi dhe sapo dola nga aty më bëri bllok. Fillova t'i shkruaja pas dy tre ditësh dhe më bllokoi. Kam ngelur duke protestuar në çdo derë prokurorie. Kam ngelur derë më derë, këtu në institucione trajtohesh si qen, duke nisur që nga punonjësi i thjeshtë tek dera, edhe ai të trajton si qen,"- thotë Sula. 

Asnjë zyrtar shqiptar nuk ka shkuar në Spanjë ku i riu Sula humbi jetën në mënyrë misterioze në një spital të Barcelonës ku shkoi për një temperaturë të lehtë. Madje askush nuk e ngriti zërin kur trupi i të ndjerit mbërriti në Shqipëri me zemër të shkulur. Autoritetet spanjolle dhe ato shqiptare nuk kanë dhënë asnjë konkluzion të ngjarjes makabre. Në 8 Maj 2020 Saimiri shkoi në spital për një test Covidi, pasi ishte me temperaturë. Testi rezultoi negativ. Majlinda, motra e tij, priste që Saimiri të dilte nga spitali, por pas një telefonate me të, nuk e pa më të gjallë vëllain. Spitali konfirmoi vdekjen e 31-vjeçarit rreth mesditës së 9 Majit 2020. Fillimisht nga spitali u tha, që Saimir Sula është axhituar dhe gjatë momentit të neutralizimit nga rojet e spitalit, i ka pushuar zemra. Por e motra thotë se Saimiri kishte shenja dhune në trup. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Barcelonë nuk ka një konkluzion të saktë për shkaqet e vdekjes. Në telefonatën e fundit, e motra thotë se Saimiri i ka thënë: Majlinda po më vrasin!

 

saimir sula majlinda sula

Sondazh

Poll