Aktualitet

Zemra e Saimir Sulës, motra: Do protestoj dhe në Bruksel, BE duhet të marrë vesh që bëhet fjalë për trafik organesh

Motra e Saimir Sulës shton për mediat se e gjithë BE-ja duhet ta marrë vesh se po përpiqen të arkivojnë një dosje që ka zbuluar trafikun e organeve që zhvillohet në një spitalet më të mëdha të Barcelonës. 

22 Janar 2023, 16:48 Nga F.M
Zemra e Saimir Sulës, motra: Do protestoj dhe në Bruksel, BE duhet
Majlinda Sula

TIRANË- Majlinda Sula nuk do të ndalet derisa të vendosë drejtësi për të vëllanë që ia sollën pa zemër nga Spanja. Nga protesta që mbajti në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' në Tiranë, Majlinda thotë se vendi i radhës ku do të bëjë të njëjtën gjë do të jetë Brukseli. Motra e Saimir Sulës shton për mediat se e gjithë BE-ja duhet ta marrë vesh se po përpiqen të arkivojnë një dosje që ka zbuluar trafikun e organeve që zhvillohet në një spitalet më të mëdha të Barcelonës. 

"Ne do të vijojmë ne nuk lodhemi asnjëherë. Sado e vështirë të jetë kjo rrugë, unë do të bëj drejtësi për tim vëlla. Do të mbaj një tjetër protestë në Bruksel. Sepse Spanja është pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e BE-së dhe Bashkimi Evropian duhet ta marrë vesh këtë gjë. Unë kam mbajtur protestë në Barcelonë dhe nuk do të ndalem. Do të shkoj në Bruksel, sot do të marshojmë para kryeministrisë,"- tha Sula. 

Asnjë zyrtar shqiptar nuk ka shkuar në Spanjë ku i riu Sula humbi jetën në mënyrë misterioze në një spital të Barcelonës ku shkoi për një temperaturë të lehtë. Madje askush nuk e ngriti zërin kur trupi i të ndjerit mbërriti në Shqipëri me zemër të shkulur. Autoritetet spanjolle dhe ato shqiptare nuk kanë dhënë asnjë konkluzion të ngjarjes makabre. Në 8 Maj 2020 Saimiri shkoi në spital për një test Covidi, pasi ishte me temperaturë. Testi rezultoi negativ. Majlinda, motra e tij, priste që Saimiri të dilte nga spitali, por pas një telefonate me të, nuk e pa më të gjallë vëllain. Spitali konfirmoi vdekjen e 31-vjeçarit rreth mesditës së 9 Majit 2020. Fillimisht nga spitali u tha, që Saimir Sula është axhituar dhe gjatë momentit të neutralizimit nga rojet e spitalit, i ka pushuar zemra. Por e motra thotë se Saimiri kishte shenja dhune në trup. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Barcelonë nuk ka një konkluzion të saktë për shkaqet e vdekjes. Në telefonatën e fundit, e motra thotë se Saimiri i ka thënë: Majlinda po më vrasin!

majlinda sula saimir sula

Sondazh

Poll