Politike

“Zero përgjegjësi nga qeveria”/ Rama pyetet nga gazetari për sulmin iranian, ‘harron’ specialistët: Qëllimi ishte të rezistonim

As gazetari dhe as kryeministri nuk përmendën asnjë prej përgjegjësve që aktualisht po përballen me ligjin në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

19 Janar 2023, 08:04 Nga F.M
“Zero përgjegjësi nga qeveria”/ Rama pyetet nga gazetari
James Harding dhe Edi Rama

ZVICËR- Sulmet kibernetike kanë qenë një prej temave kryesore që janë diskutuar në forumin e Davosit në Zvicër, në konferencën “Perspektiva e Sigurisë Kibernetike Globale 2023”. Kryeministri Edi Rama foli gjithashtu për sulmet që përjetoi Shqipëria, por, harroi që disa prej punonjësve të administratës shkuan pas hekurave për nxjerrjen e të dhënave. I pyetur nga gazetari James Harding nëse vetë qeveria ka pasur përgjegjësi për mbrojtjen kibernetike, por kreu i qeverisë tha se ajo që ka bërë Shqipëria, është të rezistojë. As gazetari dhe as kryeministri nuk përmendën asnjë prej përgjegjësve që aktualisht po përballen me ligjin në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Pjesë nga prononcimi:

James Harding: Është diçka që duhet sqaruar në lidhje me Shqipërinë. Ju e sqaruar se kë duhet të fajësonit, pra Iranin, por ka edhe diçka që për disa njerëz është e habitshme sensi i përgjegjësisë nga vetë qeveria shqiptare. Pra sa zyrtarët shqiptarë ishin përgjegjës në cilësinë e mbrojtjes kibernetike. Do të doja të na e sqaronit këtë në nivelin praktik dhe politik.

Rama: Ne e dimë përmasën e sulmeve kibernetike sot në botë. Është shumë i madh dhe unë nuk do ndonjë vend mes atyre të mëdhenjve dhe vendeve të vegjël, vendeve të pasura apo atyre më pak të pasura që të mos jenë prekur dhe ndonjëherë me dëme shumë të mëdha. Të flasësh për përgjegjësi sa i takon qeverisë apo administratës do të ishte e lehtë, por nuk e adreson siç duhet të gjithë çështjen. Duhet të sofistikohesh aq sa krimi po sofistikohet apo fuqitë keqbërëse sofistikojnë veten. Ne rezistuam shumë mirë mendoj në krahasim me targetin që kishin sulmuesit. Qëllimi i tyre ishte ta ‘fshinin’ totalisht sistemin tonë dixhital dhe të na rikthenin te ‘epoka e letrës’. Kjo nuk ndodhi dhe ne ia dolëm.

Rudina Llagami, Albi Gjeka, Altin Sallaku, Alketa Sulo dhe Igli Lubonja janë 5 punonjësit ppër të cilët janë prerë urdhërarrestet me akuzën "shpërdorim detyre", ndërsa gjykata i ka caktuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje". Ata janë punonjësit e menaxhimit të sistemit të informacionit pranë Departamentit të Administratës Publike dhe kanë qenë të punësuar në DAP në kohën kur është ndërtuar uebsite "Administratë.al", nga ku ka nisur vjedhja e të dhënave. Sipas prokurorisë, ata duhet të kërkonin raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al. 

Hakerat iranianë kanë kryer një varg sulmesh prej muajsh. Së fundmi ata publikuan të dhënat bankare të 1000 bizneseve të mëdha e të vegjël, të personave fizik e juridikë dhe të institucioneve shtetërore. Më herët bënë me dije se kanë hakeruar dhe serverat e Credins Bank, por vetë banka njoftoi se të gjitha llogaritë e të dhënat e klientëve kanë mbetur të paprekura dhe se ishte cënuar vetëm një sistem periferik. Hakerat kanë publikuar dhe certifikatat e sigurisë të punonjësve të Ministrisë, ndërsa më herët sfiduan kryeministrin Edi Rama me publikimin e listës së zgjedhësve. Të dhëna të tjera që janë publikuar prej tyre janë patentat, targat, pagat si dhe listën e punonjësve të SHISH. Ata kanë publikuar dhe të dhënat personale të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, kreut të SHISH, Helidon Bendo, nënkryetarit Oljan Kanushi, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano si dhe e-mailet e këtij të fundit.

edi rama forumi i davosit james harding

Sondazh

Poll