Politike

Genci Çifligu, avokati i Olta Xhaçkës: Nuk rezulton të ketë përfituar nga fonde publike

Avokati Genc Çifligu ka deklaruar se Xhaçka nuk rezulton të ketë përfitime nga të mirat publike.

18 Janar 2023, 16:24 Nga k.m.
Genci Çifligu, avokati i Olta Xhaçkës: Nuk rezulton të
Genc Çifligu, në komision hetimor

TIRANË- Genc Çifligu, avokati i ministres Olta Xhaçka, ka folur në lidhje me akuzat për përfitim nga fondet publike gjatë seancës së sotme që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese. Në fjalën e tij, në mbrojtjen që po i bënte klientes së tij, Genc Çifligu ka deklaruar se Xhaçka nuk rezulton të ketë përfitime nga të mirat publike.

“Nuk rezulton që deputetja Olta Xhaçka të ketë përfituar fonde publike. Xhaçka si anëtare e kabinetit qeveritar nuk rezulton të ketë përfitime nga të mirat publike. Kërkimet e paraqitura nuk legjitimohen që të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Nuk ka asnjë kontratë të lidhur mes shoqërisë dhe bashkisë Himarë pasi ndodhemi ende në procesin e ndërtimit të strukturës hoteliere. Fakti se deputetes i janë drejtuar Kuvendit ne 1 korrik 2022, nuk i legjitimon pasi ka kaluar afati. Afati nis me botimin e vendimit te qeverise për investitorin strategjik më datë 9 mars 2022 në fletoren zyrtare,”- tha ai.

Sot Kushtetuesja shqyrtoi dy paditë e bëra nga të dyja grupet e Partisë Demokratike. Opozita pretendon se deputetja Xhaçka është në konflikt të hapur interesi, sepse kompania e bashkëshortit të saj, pra edhe ajo vetë, kanë përfituar pasuri publike shtetërore, gjatë investimit në një objekt turistik. Kuvendi votoi me 74 vota pro, raportin e mazhorancës të Këshillit të Rregullorës, që bllokonte dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtimit të mandatit të Olta Xhaçkës dhe pas këtij vendimi, demokratët u paraqitën në Kushtetuese.

Deri më tani, nga parashtrimet, Xhaçka po përpiqet të shpëtojë mandatin e saj me procedurë, duke sjellë si argument në favor, tejzgjatjen e vendimmarrjes nga Kuvendi për dy mocionet e opozitës. Sipas avokatit të Xhaçkës, Genci Çifligu, shqyrtimi i papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatën Kushtetuese është në tejkalim të afateve kohore të parashikuara në ligj dhe kësisoj “nuk përbën subjekt kushtetues”.

genc Çifligu mandati i olta xhackes

Sondazh

Poll