Politike

Mandati i Xhaçkës në Kushtetuese! Shehaj: Gjykata i ka të gjitha provat për të marrë vendimin e duhur! Fjala ime s'është presion

Deputeti deklaron se nuk ka justifikime dhe as pretekste që Gjykata Kushtetuese të marrë vendimin e duhur.

18 Janar 2023, 17:32 Nga A.B
Mandati i Xhaçkës në Kushtetuese! Shehaj: Gjykata i ka të
Agron Shehaj

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj deklaron se Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha provat për të marrë vendimin e duhur në lidhje me mandatin e ministres Olta Xhaçka. Pas përfundimit të seancës së parë në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Ministres së Jashtme, deputeti mbajti një fjalë për gazetarët e pranishëm. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese, ka krijuar një precedent standard, atë që të heqë mandatin e deputetëve nëse këta përfitojnë nga prona publike. Deputeti mendon se nuk ka justifikime dhe as pretekste që Gjykata Kushtetuese të marrë vendimin e duhur.

'Është shumë e qartë, zonja Xhaçka ministre e Jashtme ka përfituar nga prona publike. E ka bërë këtë duke përdorur bashkëshortin dhe kunatën. Sot avokati i Xhaçkës, pranoi vetë që shtetasja e huaj që ka marrë statusin e investitorit strategjik për të fshehur bashkëshortin e Xhaçkës, është kunata e zonjës Xhaçka. Kështu që vendimi në gjykimin tonë është shumë i thjeshtë. Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese, ka krijuar një precedent, standard, atë që të heqë mandatin e deputetëve nëse këta përfitojnë nga prona publike. Jemi të bindur që ka vetëm një mundësi përballë këtij abuzimi dhe akti korruptiv, përndryshe do të ishte realisht një dëm shumë i madh për besueshmërinë e kësaj gjykate që me vendimin e saj do ta nxirrte të larë deputeten Xhaçka.
Pyetje: Ka një pretendim nga pala mbrojtëse dhe Kuvendit, që është tejkaluar afati 3 mujor për shqyrtimin?
Agron Shehaj: Nëse vendimi dhe nëse Gjykata do të jetë e drejtë, nuk ka asnjë arsye dhe i ka të gjitha provat për të marrë vendimin e duhur. Nëse ka një vendim tjetër që është marrë, ka justifikime, pretekste sa të duam dhe sa të duan për ta marrë atë vendim.'-tha Shehaj. 

I pyetur nëse fjalimi i fundit që mbajti në seancë ishte një formë presioni ndaj Kushtetueses, deputeti e mohoi. Shehaj shtoi se u tregua i kujdesshëm në mënyrë që fjala e tij të mos interpretohej si formë presioni.

'Në asnjë mënyrë nuk ishte presion, u kujdesa shumë që të mos mbaj një fjalim që të dukej si presion, por fakti është se ne jetojmë në një vend ku mungon drejtësia, ku njerëzit largohen se nuk ka drejtësi sepse mendojnë se njerëzit e pushtetshëm si Xhaçka janë mbi ligjin, të praprekshëm  dhe nuk ndëshkohen. Kurse qytetarët e thjeshtë ndëshkohen padrejtësisht dhe të vetmen alternativë që kanë është ajo që të largohen nga vendi.'- shtoi deputeti.

Sot Kushtetuesja shqyrtoi dy paditë e bëra nga të dyja grupet e Partisë Demokratike. Opozita pretendon se deputetja Xhaçka është në konflikt të hapur interesi, sepse kompania e bashkëshortit të saj, pra edhe ajo vetë, kanë përfituar pasuri publike shtetërore, gjatë investimit në një objekt turistik. Kuvendi votoi me 74 vota pro, raportin e mazhorancës të Këshillit të Rregullorës, që bllokonte dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtimit të mandatit të Olta Xhaçkës dhe pas këtij vendimi, demokratët u paraqitën në Kushtetuese.

Deri më tani, nga parashtrimet, Xhaçka po përpiqet të shpëtojë mandatin e saj me procedurë, duke sjellë si argument në favor, tejzgjatjen e vendimmarrjes nga Kuvendi për dy mocionet e opozitës. Sipas avokatit të Xhaçkës, Genci Çifligu, shqyrtimi i papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatën Kushtetuese është në tejkalim të afateve kohore të parashikuara në ligj dhe kësisoj “nuk përbën subjekt kushtetues”.

agron shehaj mandati i olta xhackes

Sondazh

Poll