Sport

Pep shpreh filozofinë e tij: “E kam thënë shumë herë se suksesi u përket lojtarëve”...

Pep Guardiola e bëri të qartë se asgjë nuk ndryshon në jetën e tij nëse fiton një titull tjetër

11 Janar 2023, 12:56 Nga DOSJA

Pep shpreh filozofinë e tij: “E kam thënë shumë

ANGLI - Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se fakti që mund të bëhet trajneri më i suksesshëm i Kupës së Ligës nuk do ta ndryshojë jetën e tij, duke këmbëngulur se lavdia u takon lojtarëve, nëse skuadra e tij shton një trofe tjetër në koleksionin e tyre.

Kampionët e Premierligës do të përballen me Southampton në çerekfinalet e Kupës së Ligës sot (21:00) teksa do të përpiqen të fitojnë kompeticionin për herë të pestë në gjashtë sezonet e fundit. Guardiola aktualisht është i lidhur me katër triumfe në këtë turne, ashtu si Alex Ferguson, Jose Mourinho dhe Brian Clough, duke ndjekur trofeun e tij të 10-të të madh në shtatë vjet në City.

“Absolutisht jo”,- tha Guardiola në konferencën për shtyp kur u pyet nëse ishte i interesuar për të thyer rekordin. “Ne duam ta fitojmë këtë trofe, por ajo nuk do ta ndryshojë jetën time se do të kem më shumë se Sir Alex. Ne përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe sezonin e kaluar u eliminuam nga West Hami, por ishim të mrekullueshëm. Nuk janë vetëm titujt, janë shumë gjëra që ishin fantastike në mënyrën se si punojmë, në mënyrën se si luajmë, cilësia e lartë pas shumë vitesh. E kam thënë shumë herë që suksesi u përket lojtarëve”,- shtoi ai.

Guardiola ka qenë shumë kritik ndaj mesfushorit Calvin Phillips javët e fundit, duke këmbëngulur, se 27-vjeçari u rikthye mbi peshë nga Kupa e Botës me Anglinë. Tani, me derbin e Mançesterit me Unitedin që vjen në fundjavë, spanjoli po mendon t'i japë Phillips një tjetër shans.

“Ai është gjithmonë gati”,- shtoi Guardiola. “Sigurisht që u desh kohë, por ai është gati dhe ne jemi të emocionuar për këtë. Duhet të shohim nëse do të fillojë, por unë mendoj se ai është një lojtar i zgjuar. Ai u stërvit në Leeds me Marcelo (Bielsa), duke treguar përkushtim në çdo seancë stërvitore dhe në çdo lojë”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll