Aktualitet

Laboratori në Fier/ Klodiana Lala: Trafikantët i dhanë pleh me kokainë doganierit, pastaj kishin hall se mos i thaheshin ullinjtë!

Lala tha se një polic i doganës kishte kërkuar disa thasë me pleh, në këmbim të favorizimit për kalimin e plehut, por nuk e dinte se plehu ishte i përzierë me kokainë.

26 Dhjetor 2022, 23:14 Nga F.M
Laboratori në Fier/ Klodiana Lala: Trafikantët i dhanë pleh me
Gazetarja Klodiana Lala

TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka treguar një episod komik me një polic të doganës dhe trafikantët e drogës që përpunohej në Fier, bisedë që uzbulua dhe nga përgjimet e publikuara më herët në media. E ftuar në TPZ, Lala tha se një polic i doganës kishte kërkuar disa thasë me pleh, në këmbim të favorizimit për kalimin e plehut, por nuk e dinte se plehu ishte i përzierë me kokainë. Ndërsa trafikantët, sipas Lalës, ishin të ‘shqetësuar’, sepse pas përdorimit të plehut të përzierë me kokainë, policit do t’i thaheshin ullinjtë.

"Viktor Çervanaku nuk ishte vetëm një ish kryekomunar. Ishte personazh që kishte punuar për vite me rradhë në Policinë e Shtetit. Ruante lidhje shumë të forta me zyrtarë të policisë dhe institucionet e vendit. Viktor Çervanaku, e them me siguri të plotë, mënyra si ishte përgjuar nga Prokuroria e Posaçme, në rastin konkret autoritetet shqiptare ishin të detyruara të ndërhynin sepse ishin autoritetet malazeze të informuara, ishin autoritetet greke dhe DEA amerikane. Mënyra si ai fliste në telefon, dëshmonte për siguri dhe garanci të jashtëzakonshme. Në një nga përgjimet, ai flet me një agjent doganor, i kërkon të nxitojë dhe të bëjë gati dokumentat e plehut dhe e reklamon plehun me krenari dhe thotë djali ka sjelle pleh të mirë. Pastaj merrte vëllain, i thoshte dëgjo ruaje si sytë e ballit, sepse kishte rënë shi para se të shkonte kimisti kolumbian. Kishte marrë masa për ruajtjen me armë të lëndës narkotike. Madje kishte raste që ishte gjuajtur me armë për të trembur kundërshtarët. Kishte shkuar deri aty sa të ndërhynin, njëri nga punonjësit e doganës kishte kërkuar, si shpërblim 4 thasë me pleh. Në momentin që kishte marrë katër thasët me pleh, trafikantët e dyshuar, ngrinin shqetësimin dhe thoshin mirë që e mori, problemi është që do t’i thahen ullinjtë sepse brenda plehut kishte kokainë. Deri këtu kishte vajtur puna. Çervanaku ishte funksionar që po tentonte të riciklohej në politikë. Nga ana tjetër, ishte shndërruar në trafikant droge,”- deklaroi Lala. 

Si u zbulua laboratori i kokainës në Fier?

Lajmi për drogën u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri. Deri më tani janë arrestuar: Zenel Cervanaku, i cili akuzohet se është edhe porositësi i kësaj sasie kokaine; Viktor Çervanaku, ish-kryetari i komunës së Frakullit, djali i tij së bashku me të fejuarën, Denilson Çervenaku dhe Enxhi Ferhati; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç; Marildo Rona, Nikolin Gjolena, Julian Malaj dhe Bledar Matoshi. Në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.

klodiana lala laborator kokaine ne fier

Sondazh

Poll