Aktualitet

Artan Hoxha për Ervis Martinajn: Zgjodhi rrugën si John Gotti, por shteti e la përballë kundërshtarëve, kjo gjë ka ndodhur vetëm me Haklajt

Ai përmendi vrasjen e Brilant Martinajt dhe atentatin ndaj Ylli Ibrahimit, për të cilat tha se shteti ‘mbylli sytë’ dhe heshti, duke e krahasuar me atë të fisit Haklaj në Tropojë.

26 Dhjetor 2022, 22:49 Nga F.M
Artan Hoxha për Ervis Martinajn: Zgjodhi rrugën si John Gotti, por
Gazetari Artan Hoxha

TIRANË- Gazetari Artan Hoxha është shprehur se i shumëkërkuari i zhdukur, Ervis Martinaj, ka zgjedhur të ekspozohej, të frekuentonte jetën e natës dhe të shijonte shkëlqimin që i jepte fama që kishte marrë. I ftuar në ‘TPZ”, Hoxha tha se Martinajn e kapi euphoria dhe zgjodhi ekspozimin, por shteti e la përballë kundërshtarëve. Ai përmendi vrasjen e Brilant Martinajt dhe atentatin ndaj Ylli Ibrahimit, për të cilat tha se shteti ‘mbylli sytë’ dhe heshti, duke e krahasuar me atë të fisit Haklaj në Tropojë.

“Ervis Martinajn e kapi euforia dhe nuk e mendoi që një kryeministër është balena në oqean dhe jo një peshk në oqean. Martinaj ishte shumë egoist, e donte shkëlqimin, është personazh atipik në botën e krimit të organizuar. Ai ishte çdo natë në lokalet më të njohura të Tiranës. Pra, dallimi me të tjerët, është që zgjodhi rrugën si John Gotti, që ekspozohej. Ai e shijonte ekspozimin. Edhe kur i ndodhi ajo që i ndodhi, ai lëvizte me tek person. Këtë besim ia sillte korruptimi i agjensive të zbatimit të ligjit. Por, kryeministri korrupton më shumë se ai… Jo më kot të përmenda, që iu vra djali i xhaxhait, u tentua miku i ngushtë dhe shteti nuk reagonte. Shteti mbylli sytë dhe e la përballë kundërshtarëve. Kjo gjë ka ndodhur vetëm me Haklajt në Tropojë,”- tha Hoxha. 

Deklarata e Hoxhës, vjen disa orë pasi sot, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në Fushëkuqe, Vlorë dhe në Shijak, ku janë kërkuar gjurmë e të dhëna që do të mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit të zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit, Ervis Martinaj. Fushëkuqja e Kurbinit, zona ku dhe jeton familja e Martinajt ishte e rrethuar për pesë orë gjatë ditës së sotme. Por, deri më tani nuk është raportuar për gjetjen e ndonjë të dhëne të re në lidhje me fatin e ish-bossit të lojërave të fatit. Policia e Shtetit doli nga Fushëkuqja me armë e municione luftarakë, por pa ndonjë gjurmë konkrete që mund të zgjeronte hetimet për 40-vjeçarin e zhdukur.

artan hoxha ervis martinaj zhduket ervis martinaj

Sondazh

Poll