Sport

Kampioni i Botës, Calja: “Rrezikova jetën në avion, sot prap nuk kemi fizioterapist”...

Në një test para Botërorit të peshëngritjes, që do të zhvillohet në Kolumbi muajin e ardhshëm, kampioni Briken Calja arrin rezultate të larta shpresëdhënëse

24 Nëntor 2022, 18:00 Nga DOSJA

Kampioni i Botës, Calja: “Rrezikova jetën në avion, sot

TIRANE - Kampioni i Botës në peshëngritje Briken Calja rikthehet në formën e tij maksimale, vetëm 2 javë përpara Kampionatit Botëror, që do të zhvillohet në fillim të dhjetorit në Kolumbi. Dëmtimi i tij në Europianin e verës së shkuar, i rrezikoi thuajse karrierën, por sot 6 muaj më pas, rezultatet e tij në palestër janë ato ku e kishte mbyllur.

“Falë Zotit, falë të gjithë njerëzve që më kanë suportuar, familja ime, stafi, presidenti me të cilin kam pasur kontaktin dhe suportin herëpashere, ashtu siç e patë edhe në seanceën stërvitore, janë fiks rezultatet e një viti më parë, me ato kile u shpalla kampion Bote dhe këtë herë besoj do të jem mes 5 më të mirëve, pse jo edhe kampion Bote”.

Calja tregon se në këtë Botëror deri më tani ende nuk është gjetur një fizioterapist për ta patur me vete.

“Eshtë e treguar tashmë gjithmonë se pa një fizioterapist është e pamundur që të bësh garën, unë vitin e shkuar në avion për pak humba jetën. Falë ndërhyrjes së një fizioterapisti që bëri gjën e duhur, unë jam ky që jam sot. Ne nuk mund të shkojmë atje për turizëm”.

Në seancën test të Caljes ishte i pranishëm edhe presidenti i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, i cili pak muaj më parë në Lojërat Mesdhetare të Algjerisë u detyrua të shndërrohej në fizioterapist për mungesë stafi. Këtë here ai është zotuar të ndryshojë e të plotësojë edhe stafin Botërorit me një të tillë.

“Do të zhvillojmë një mbledhje urgjente në Komitetin Olimpik për të siguruar një fizioterapist, sepse janë dy sportistë olimpikë dhe ne këta i kemi si “ujët e pakët” për në finalet e Lojërave Olimpike. Pa gjithë këta talente, që janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë, ne jemi kot që të rrimë në për zyrat tona. Prandaj ne jemi në funksion të tyre.

Rezultatet e fundit të Caljes kanë qenë të niveleve më të larta dhe siç tregon trajneri i tij Gerald Toska, ky nuk është maksimumi”.

“Më ka bërë edhe mua të jem shumë i gëzuar me këtë test që zhvilluam, sepse ky rezultat i arritur sot nga Brikeni ishte i barabartë me titullin kampion Bote në kampionatin që kaloi. Ky është një motiv për të vazhduar dhe jo ta mbyllim me këto kile, por të vazhdojmë akoma më lart,”- shprehet Gerald Toska, trajner i kampionit Calja.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll