Aktualitet

PËRDITËSIMI ora 18:30- Si është situata e përmbytjes në Shkodër, Emergjencat Civile: Uji po tërhiqet!

Sipas njoftimit, është kryer evakuimi e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre dhe evakuimi i rreth 57 krerësh bagëti.

21 Nëntor 2022, 19:30 Nga k.m.
PËRDITËSIMI ora 18:30- Si është situata e përmbytjes
Pamje nga përmbytjet

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e radhës, në orën 18.30, duke pretenduar se situata me reshjet ne vend është përmirësuar. Sipas njoftimit, është kryer evakuimi e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre dhe evakuimi i rreth 57 krerësh bagëti. Po ashtu, shtohet se në terren situata është ndjeshëm më e mirë në Shkodër dhe në Lezhë. 

Situata e krijuar nga reshjet në vend

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, ka një përmirësim të konsiderueshëm të situatës së krijuar si pasojë e reshjeve në vend, veçanërisht në dy qarqet më problematike, Shkodër e Lezhë. Uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve. Ka prani uji në rreth 4356 ha sipërfaqe, ku tërheqja bëhet më ngadalë, por situata po monitorohet me vëmendje. Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Po ashtu janë evakuuar edhe 57 krerë bagëti. Përmirësim të konsiderueshëm ka edhe situata në Lezhë, por orët në vijim mbeten sërish kritike, bazuar në parashikimet e motit për shtim të reshjeve të shiut. Në Bashkinë Lezhë zonat më të prekura janë njësitë Dajc, Blinisht, Balldren, ku po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa. Në monitorim është edhe situata sa i përket nivelit të lumenjve, veçanërisht lumit Drin, Gjadër dhe Erzen. E normalizuar paraqitet situata në Durrës, Kukës, Dibër. Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të banorëve të këtyre zonave dhe do të qëndrojnë në terren edhe gjatë orëve të natës.

shqiperia permbytet 2022

Sondazh

Poll