Aktualitet

Vonesa nga sulmi i hakerave që bllokoi sistemin, qytetarët po i paguajnë gjobat me kamatë!

25 mijë gjoba të marra gjatë muajit shtator, ku qytetarë të ndryshëm kanë shkuar për ti paguar por për shkak të sulmit sistemi nuk funksiononin.

18 Nëntor 2022, 13:29 Nga k.m.
Vonesa nga sulmi i hakerave që bllokoi sistemin, qytetarët po i
Foto ilustruese

Qytetarët po i paguajnë gjobat me kamatë edhe pse sistemi ishte bllokuar për shkak të sulmeve kibernetike nga Irani. Prej 9 shtatorit kur sistemet e policisë shqiptarë u përballën me një sulm kibernetik, prej të cilit është bërë e pamundur pagesa e gjobave që qytetarët kanë marrë nga policia rrugore.

Bëhet fjalë për 25 mijë gjoba të marra gjatë muajit shtator, ku qytetarë të ndryshëm kanë shkuar për ti paguar por për shkak të sulmit këto sisteme nuk funksiononin.

Me rikthimin e sistemit qytetarëve iu është dashur të paguajnë përveç gjobës edhe kamatvonesën, që në varësi të shumës së gjobës rritet. Duke u penalizuar kështu edhe nga mungesa e përfitimit të uljes me 20%, nëse gjoba paguhet ditët e para.

Top Channel ka marrë shqetësime nga shumë qytetarë që janë përballur me këtë të papritur, e cila vjen jo për faj të tyre por si pasojë e sulmit ndaj sistemit. Ata janë detyruar të paguajnë përveç gjobës, edhe 60% të vlerës së saj si kamatvonesë.

Top Channel është interesuar pranë Drejtorisë Rrugore të Policisë së Shtetit, ku drejtori Altin Qato tha se ky problem nuk është për të gjithë gjobat e marra, pasi ata që e kanë pasur gjobën fizikisht, sipas tij e kanë pasur mundësinë e pagesës së gjobës, të tjerët që nuk e kanë pasur fizikisht janë penalizuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Rrugore po shikon një mënyrë alternative për të zgjidhur këtë ngërç të krijuar nga sulmet kibernetike. Shteti shqiptar pavarësisht se nuk mund të përballonte këtë sulm, as nuk është angazhuar mjaftueshëm për të amortizuar pasojat e sjella nga ky sulm./TopChannel

gjobat policia e shtetit

Sondazh

Poll