Sport

Gjesti human, Antonio Rüdiger financon operacionet e 11 fëmijëve në Sierra Leone…

Qendërmbrojtësi nga Gjermania dhe i Real Madridi investon të gjitha shpërblimet e tij nga Katari për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë në vendin e nënës së tij.

16 Nëntor 2022, 07:03 Nga DOSJA

Gjesti human, Antonio Rüdiger financon operacionet e 11 fëmijëve

GJERMANI - Antonio Rüdiger, teksa është përqëndruar te Kupa e Botës në Katar, nuk i ka harruar nismat e tij humanitare në Sierra Leone, vendin ku ka lindur nëna e tij. Futbollisti i Real Madridit e ka bërë këtë duke dhuruar të gjitha paratë që planifikon të fitojë në këtë Botëror, për njëmbëdhjetë fëmijë të këtij vendi që i janë nënshtruar operacionit për të patur një jetë më të mirë dhe më të “drejtë”.

Në bashkëpunim me organizatën gjermane të ndihmës ‘BigShoe’ dhe siç bëri në janar, mbrojtësi i Real Madrid ka financuar një sërë trajtimesh jashtëzakonisht komplekse, të shtrenjta dhe më e rëndësishmja, që ndryshojnë jetën për fëmijët. Në këtë rast, pacientët e vegjël vijnë nga Lunsar, një qytet në shtëpinë e dytë të Rüdiger, Sierra Leone, nga ku është nëna e tij Lily dhe që vuajnë kryesisht nga këmbët e lindura shtrembur.

Kjo ndikon shumë në jetën e fëmijëve, jo vetëm për shkak të problemeve të dukshme fizike, por edhe për shkak se këto aftësi të kufizuara janë të stigmatizuara nga ana sociale në Sierra Leone. Pacientët jo vetëm që detyrohen të mbështeten në paterica për pjesën tjetër të jetës së tyre, por janë gjithashtu të izoluar nga shoqëria dhe kanë pak shanse për të gjetur një punë dhe për të bërë një jetë normale më pas. 

Gjesti human, Antonio Rüdiger financon operacionet e 11 fëmijëve

"Është e dhimbshme të shohësh rrethanat në të cilat rriten fëmijët e Sierra Leones,- shpjegon Rüdiger, i lumtur kur merr lajmin se operacionet kanë shkuar mirë. - Gjatë operacionit, shtrembërimi korrigjohet dhe pacientët të mund të ecin dhe të marrin pjesë në jetën shoqërore, pas disa muajsh trajtimi vijues”,- vijon futbollisti gjerman.

Rüdiger e ka të qartë se kjo lloj ndihme është më e pakta që mund të bëjë për shkak të situatës së tij të privilegjuar në shoqëri falë futbollit. "Në Gjermani më janë dhënë mundësitë që shumë njerëzve në Sierra Leone u janë mohuar. Unë jam mirënjohës për këto mundësi dhe vlerësoj shumë pozicionin e privilegjuar në të cilin ndodhem. Të ndihmosh këtu është një çështje nderi për mua. Do të doja ta zbatoja shumë projekte të tjera në Sierra Leone me familjen time në të ardhmen”,- thotë lojtari, i cili lë gjurmë kudo që shkel.

Përveç operacioneve, lojtari i Real Madrid dërgoi një mori fanellash në Sierra Leone për t'i gëzuar fëmijët pas operacioneve shpesh tejet të dhimbshme. I përkushtuar ndaj vendit ku ka lindur nëna e tij, gjatë këtij viti 2022 ai ka hedhur edhe themelet për hapjen e Fondacionit Antonio Rüdiger në Sierra Leone vitin e ardhshëm, me të cilin synon të jetë edhe më aktiv në ndihma.

Gjesti human, Antonio Rüdiger financon operacionet e 11 fëmijëve

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll