Aktualitet

"Ka bombë", dha alarmin për lëndë plasëse në SPAK, identifikohet telefonuesi anonim

Është një 47-vjeçar me inicialet J.K., që dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor. Personi në fjalë është proceduar penalisht për këtë ngjarje. 

9 Nëntor 2022, 13:12 Nga F.M
"Ka bombë", dha alarmin për lëndë plasëse
SPAK

TIRANË- Policia e Tiranës ka identifikuar njeriun që dha alarmin një ditë më parë për vendosjen e një bombe pranë SPAK. Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se njeriu që dha alarmin është një 47-vjeçar me inicialet J.K., që dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor. Personi në fjalë është proceduar penalisht për këtë ngjarje. 

Alarmi u dha një ditë më parë, në mesditë. Policia rrethoi SPAK dhe kreu kontrolle me qen e jo vetëm, për disa orë rresht, por doli duarbosh që aty. Alarmi rezultoi të ishte fals. 

Njoftimi i policisë Tiranë

Identifikohet dhe procedohet penalisht shtetasi që telefonoi rreth orës 11:00, të datës 08.11.2022, në sallën operative të DVP Tiranë, për të njoftuar vendosjen e një sasie lënde eksplozive te Gjykata e Apelit.
 Strukturat e Policisë së Shtetit, përfshirë edhe Drejtorinë e Antiterrorit, u njoftuan për vendosje të lëndës eksplozive në godinën e Gjykatës së Apelit (pa u specifikuar konkretisht në godinën e cilës gjykatë apeli). Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Antiterrorit u kryen veprimet e para hetimore, verifikuese dhe kontrolluese, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të Repartit Special RENEA dhe me efektivët e komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 3, Tiranë. Pas tërësisë së veprimeve të kryera, në asnjë nga ambientet përreth godinave nuk u gjet lëndë eksplozive. Në vijim të veprimeve, nga Drejtoria e Antiterrorit u referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, për shtetasin J. K., 47 vjeç, i dyshuar me probleme të shëndetit mendor. Vijojnë veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për dokumentimin e plotë të kryerjes së veprës penale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që dyshohet se kanë nxitur shtetasin J. K., të kryejë telefonatë të rremë në sallën operative, duke përhapur panik dhe duke vënë në alarm shërbimet policore.

policia e tiranes

Sondazh

Poll