Politike

Bushati: Buxheti i 2023 është i harresës për Veriun!, të qeshim apo të qajmë për anulimin e tenderit Milot-Balldren?!

Gjatë fjalës në Kuvend, Bushati tha se Rama është i vetmi kryeministër në vend që në kohë krize ndërton një vepër arti në kryeministri.

9 Nëntor 2022, 13:09 Nga I.A
Bushati: Buxheti i 2023 është i harresës për Veriun!,
Helidon Bushati

TIRANË- Deputeti demokrat Helidon Bushati ka deklaruar se buxheti i vitit 2023 ka lënë në harresë totale veriun e vendit. Gjatë fjalës në Kuvend, Bushati tha se Rama është i vetmi kryeministër në vend që në kohë krize ndërton një vepër arti në kryeministri. Bushati tha se qytetarët nga veriu nuk dinë nëse të qajnë apo të qeshin që u anulua tenderi Milot-Balldren, duke shtuar se i duhet të presin dhe 5 vite për të ndërtuar këtë rrugë. Po ashtu ai ka theksuar se Ministria e Turizmit është më e persekutuara në këtë qeveri. 

“Buxheti i 2023, buxheti i harresës për Veriun. Pse është i harresës? Sepse për 4 qarqe, Lezhës, Dibrës, Kukësit dhe Shkodrës, nga 340 mln euro fonde për investime, shkojnë vetëm 58.9 mln euro. Nëse i heqim kostot për rrugën e Arbrit, shkon vetëm 9.1%. Ja pra për investimet kjo qeveri për 4 qarqe i vlerëson as me 10 % të fondit. Më në fund ministrja e Infrastrukturës dha në Komision një lajm; Është anuluar tenderi për aksi Milot-Balldren. Ne veriorët, s’dimë nëse duhet të qeshim që mbaroi një aferë korruptive? Apo të qajmë që të presim dhe 5 vite të tjera me atë trafik që përballemi. Ministrja tha; nuk është në prioritetet tona të persekutuarit. S’janë në prioritet ata që po vdesin dhe s’kanë marrë atë që meritojnë? S’po marrim as këstet e tyre? Kjo është e turpshme. I njëjti fond si vitet e mëparshme 8.5 mln. E turpshme. Nuk ka fjalë tjetër. Projekti Eden për qytetarët që se dinë janë 4 mln euro për një vepër arti që do e shijojnë kryeministri dhe ministrat e tij. I vetmi kryeministër në botë që bën një vepër të tillë për veten. Nuk ka pse të kishte fonde për energjinë nëse kjo qeveri do të kishte menaxhuar situëtën si duhet. Këta i realizojnë planet me nga 250%. Ministria e Turizmit është më e persekutuara nga kjo qeveri. Turizmi duhet të ishte deri në dhjetor. Kjo është përqasja ndaj turizmit. Qasja e kësaj qeverie ndaj qarkut të Shkodrës është bajpasi i vitit 2011. Dhe ende nuk është mbaruar. Nuk ka asnjë lekë për ujsjellësja në qarkun e Shkodrës," tha Bushati.

helidon bushati seance plenare 9 nentor 2022

Sondazh

Poll