Bota

Tensionet në veri të Kosovës, dorëhiqen zyrtarët komunal të zgjedhjeve në katër komunat

Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u bëri thirrje që mos ta bëjnë një gjë të tillë.

9 Nëntor 2022, 12:16 Nga I.A
Tensionet në veri të Kosovës, dorëhiqen zyrtarët
Valmir Elezi

KOSOVË- Pas largimit të zyrtarëve policorë, prokurorëve e gjyqtarëve në veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, së fundmi dorëheqjen e kanë dorëzuar edhe zyrtarët komunal të zgjedhjeve në katër komunat veriore. Telegrafi shkruan se lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar njoftimin për dorëheqje të 4 Zyrtarëve Komunal të Zgjedhjeve në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. KQZ-ja do ta trajtojë këtë çështje dhe do t’iu mbajmë të informuar”, tha Elezi.

Për largimin e zyrtarëve serb nga institucionet ka folur sot edhe kryeministri Albin Kurti. Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u bëri thirrje që mos ta bëjnë një gjë të tillë.

“Jemi Qeveri e përgjegjshme e të gjithëve, kundër kriminelëve e përkushtuar për zhvillim, barazi e integrim. Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të paqes. Bëjë thirrje që të mos bojkotohen e braktisen institucionet”, tha Kurti.

ÇFARË PO NDODH NË VERI TË KOSOVËS?

Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar pasi Qeveria nisi të zbatojë planin me 3 faza për regjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në Republikën e Kosovës. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe. Këto targa i lëshon Serbia dhe kanë akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera. Mirëpo, ky regjistrim është shoqëruar me incidente në veri të Kosovës. Serbët që po ri regjistrojnë makinat në RKS, po u digjen makinat.  Lista Serbe paralajmëroi se do të tërhiqej nga të gjithë institucionet në veri. Të shtunën ishin efektivët serbë në Policinë e Kosovës në Mitrovicë ata që dorëzuan detyrën dhe në shenjë simbolike hoqën uniformat. Sot ata dorëzuan armët pranë Rajonit të Policisë në Zveçan ndërsa Lista Serbe dorëzoi mandatet në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka deklaruar që nuk do të heqë dorë nga marrëveshja për targat, ndërkohë që SHBA dhe BE kanë mbërë thirrje për maturi duke dënuar veprimet e Serbisë në Veri.

valmir elezi tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll