Aktualitet

Ambasadori britanik: Jam i zhgënjyer nga lajmet e mediave britanike lidhur me Shqipërinë

Ambasadori u shpreh se e vlerëson shumë komunitetin shqiptar, ndërsa theksoi se Shqipëria është një vend i bukur dhe mikpritës.

9 Nëntor 2022, 10:33 Nga I.A

Ambasadori britanik: Jam i zhgënjyer nga lajmet e mediave britanike

TIRANË- Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Britanisë që kujtohen sot përmes një konferencë ndërkombëtare Akademia e Studimeve Albanologjike (Instituti i Historisë), ambasadori i Britanisë Alaistair King-Smith, teksa shprehu vlerësimin për historikun e këtij raporti u ndal edhe ne debatin që është krijuar së fundmi për emigrimin e shqiptarëve drejt Britanisë.

Ambasadori King-Smith tha se është i zhgënjyer nga raportimet e mediave britanike për Shqipërinë, të cilat shpesh herë i kanë cilësuar shqiptarët si kriminelë. Ambasadori u shpreh se e vlerëson shumë komunitetin shqiptar, ndërsa theksoi se Shqipëria është një vend i bukur dhe mikpritës. Një ftesë e pati për të gjithë britanikët që të vijnë të vizitojnë vendin tonë.

“Jam gjithmonë i gatshëm për të pasur sa më shumë takime të tilla, shkëmbime idesh përsa i përket dy vendeve tona. Më duhet të them se jam i zhgënjyer nga raportimet e mediave angleze lidhur me Shqipërinë. Dhe unë dua të tregoj se sa e vlerësoj komunitetin shqiptar në Britani. Por njëkohësisht unë jam këtu dhe shikoj se sa vend i bukur dhe mikpritës është Shqipëria, dhe po inkurajoj mediat që të shikojnë këtë pjesë, që edhe britanikët të vijnë dhe ta vizitojnë. Shpresoj që të kemi sa më shumë raportime pozitive dhe që britanikët të vijnë këtu”, tha ai.

Mediat britanike vazhdojnë dhe i dedikojnë dhjetra artikuj shqiptarëve që kalojnë Kanalin me gomone për të kërkuar azil në Angli. Gjithashtu disa media kanë zhvilluar edhe reportazhe në Shqipëri, duke zbuluar edhe sesi ikin në Francë e jo vetëm, për të kaluar më pas në Angli me gomone. Por reagimi i kryeministrit Edi Rama erdhi kur sekretarja e Brendshme, Suella Braveman e konsideroi një 'pushtim' hyrjen e mbi 40 mijë shqiptarëve në Angli. Rama theksoi se nuk mund ta toleronte reagimin e Braverman, të cilin e konsideroi ‘të çmendur’ dhe një sjellje që ushqen ksenofobinë. Ai i bëri thirrje që të ndalojë 'diskriminimin' ndaj shqiptarëve në përpjekje për të justifikuar dështimet e politikave në Britani.

alastair king-smith

Sondazh

Poll