Aktualitet

Skemë mashtrimi për shmangien e TVSH-së, Gjykata e Durrësit dënon me 20 vite burg 7 të arrestuarit

Nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit të nisura dy vite më parë, ka rezultuar se dëmi i shkaktuar është 571 milionë lekë, ndërsa të akuzuarit kishin krijuar pesë kompani fiktive.

9 Nëntor 2022, 09:57 Nga I.A
Skemë mashtrimi për shmangien e TVSH-së, Gjykata e Durrësit
Gjykata e Durrësit

DURRËS- Një vit pas zbulimit të një skeme mashtrimi me TVSH-në prej rreth 6 milionë euro, Gjykata e Durrësit ka dënuar shtatë persona, si dhe ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive përfshirë edhe një hidrocentral. Nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit të nisura dy vite më parë, ka rezultuar se dëmi i shkaktuar është 571 milionë lekë, ndërsa të akuzuarit kishin krijuar pesë kompani fiktive.

Gjykata e Durrësit ka dënuar me mbi 20 vite burg shtatë persona të akuzuar për ngritjen e skemës gjigante të mashtrimit. Kështu, Gjykata ka dënuar me 6 vite burg Ardi Xhaferrin, me akuzën e “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Gjithashtu, i hiqet e drejta për të ushtruar detyrat e drejtorit, të administratorit, sipërmarrësit, likuidatorit, si edhe çdo detyrë tjetër që ka të bëjë me cilësinë e përfaqësuesit të personit juridik, për një periudhë 10-vjeçare pas vuajtjes së dënimit me burgim.

Regan Merdani është dënuar me 4 vite e 6 muaj, ndërsa i hiqet e drejta e ushtrimit të detyrave të mësipërme për një periudhë 7- vjeçare. I akuzuari tjetër, Ali Agolli është dënuar me 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa u hiqet e drejta e ushtrimit të detyrës për një periudhë 7-vjeçare.

Gjykata e Durrësit ka dënuar me 3 vite e 6 muaj burg shtetasit, Tahir Afmataj, ndërsa i hiqet e drejta e ushtrimit të detyrave të mësipërme për pesë vite. Enis Xhaferri është dënuar me 1 vit burg për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, ndërsa për tri vite nuk mund të ushtrojë asnjë detyrë. Një tjetër i akuzuar është, Ben Caka, i cili është dënuar me 9 muaj burg për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, e tri vite nuk mund të ushtrojë asnjë pozicion të shkruar më sipër. Roland Avdo është dënuar 1 vit burg për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, e tri vite nuk mund të ushtrojë disa detyra.

regan merdani ardi xhaferri ali agolli enis xhaferri tahir afmataj

Sondazh

Poll