Bota

Tensionet në Kosovë, Abazi: Serbia e Rusia po presin zgjedhjet në SHBA për të parë sa në favor janë, Shqipëria u 'mban lojën'

Ai shton ndër të tjera se politikanët shqiptarë që nuk i kërkojnë Perëndimit të sanksionojë Serbinë, por i kërkojnë Qeverisë Kurti të tërhiqet e të pranojë kërkesat e Serbisë, bëjnë, dashje-padashje, lojën e Serbisë dhe Rusisë.

8 Nëntor 2022, 13:15 Nga F.M
Tensionet në Kosovë, Abazi: Serbia e Rusia po presin zgjedhjet në
Boiken Abazi

KOSOVË- Ish-drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri Boiken Abazi ka komentuar situatën e tensionuar në Veri të Kosovës. Në një postim në Facebook, Abazi shkruan se Serbia nuk ka për ta njohur Kosovën dhe se si ky shtet ashtu edhe Rusia, po presin zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të parë nëse do tu kalojë situata në favor. Abazi shton se Partia "Lista serbe", krijuar e drejtuar nga Beogradi, është mënyra se si Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po tenton të minojë Kosovën nga brenda. Ai shton ndër të tjera se politikanët shqiptarë që nuk i kërkojnë Perëndimit të sanksionojë Serbinë, por i kërkojnë Qeverisë Kurti të tërhiqet e të pranojë kërkesat e Serbisë, bëjnë, dashje-padashje, lojën e Serbisë dhe Rusisë.

Postimi:

1. Serbia nuk ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës në një të ardhme të afërt. Serbia dëshiron të presë zgjedhjet presidenciale në Amerikë për të parë nëse një administratë e re amerikane krijon një situatë më të favorshme gjeopolitike për Rusinë dhe Serbinë, në mënyrë që të çojë para intersat e saj në Ballkan. Edhe Putini dëshiron të presë zgjedhjet presidenciale në ShBA, për të parë nëse do krijohet nje situatë më e favorshme gjeopolitike në lidhje me luftën gjenocidiale që ka nisur në Ukrainë.
2. Partia "Lista serbe", krijuar e drejtuar nga Beogradi, është produkt i negociatave të Hashim Thaçit. Hyrja e saj në institucione nuk integroi serbët e Kosovës, por planet e Vuçiqit per minimin e shtetit të Kosovës edhe nga brenda. Dalja e saj prej institucioneve me urdhër të Beogradit ka rrëzuar iluzionin se ajo parti ishte integruar brenda institucioneve. Para saj, parti të tjera të serbëve që e njihnin pavarësinë e Kosovës ishin më të fuqishme, dhe mund e duhet të punohet që parti të tilla bashkëpunuese të fuqizohen sërish tani që "Lista serbe" ka dalë nga institucionet.
3. Ndërkombëtarët aleatë me Kosovën duhet të nxjerrin mësime nga gabimet e kryera në të kaluarën me Serbinë, siç kanë nxjerr mësime me Rusinë. Një Serbi që vazhdon e ledhatohet nga Perëndimi, ndërkohë që koordinohet me Rusinë dhe Kinën, nuk është rrezik vetëm për Ballkanin, por edhe për Perëndimin. Në Perëndim e dinë këtë, por ende nuk kanë vendosur ta sanksionojnë Serbinë. Pa u sanksionuar e shtrënguar Serbia, ajo do përbëjë një kërcënim edhe më të madh për sigurinë.
4. Politikanët shqiptarë që nuk i kërkojnë Perëndimit të sanksionojë Serbinë, por i kërkojnë Qeverisë Kurti të tërhiqet e të pranojë kërkesat e Serbisë, bëjnë, dashje-padashje, lojën e Serbisë dhe Rusisë.
5. Fitorja e Ukrainës ndaj luftës gjenocidiale të Kremlinit, dhe fitorja e Kosovës ndaj agresionit të vazhdueshëm nga Beogradi, janë dy çështje që sot nuk janë aq të ndara nga njëra-tjetra. Ndalja e Rusisë në Ukrainë dhe e Serbisë në Kosovë, e më gjerë në Ballkan, mund dhe duhet te realizohet paralelisht, para zgjedhjeve të radhës presidenciale në ShBA.

Tensionet në Veri të Kosovës janë kthyer në shqetësim ndërkombëtar. Pasi Qeveria nisi të zbatojë planin me 3 faza për regjistrimin e makinave me targave serbe në Republikën e Kosovës që pritet të përfundojë deri më 21 prill. Pas vendimit, Lista serbe dorëzoi mandatet, ndërsa u braktisën edhe instutucionet. Në valën e trazirave, u konfirmua zyrtarisht dhe po diskutohet plani franko-gjerman që synon arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht, por flitet për asosacionin e komunave serbe dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtarë. Për këtë "njohje" Serbisë i përshpejtohet rruga për integrimin në BE. Kryeministri Albin Kurti deri më tani ka dhënë një përgjigje; nuk ka shanse që të japë “ok” për Asosacionin e komunave serbe.

boiken abazi

Sondazh

Poll