Politike

Primaret në PD/ Lindita Toma shpall kandidaturën për bashkinë Kurbin: Kërkoj me ngulm të kthej shpresën te qytetarët kurbinas

Në një deklaratë nga selia Blu Toma tha se do të punonte për të ja kthyer bashkinë qytetarëve.

8 Nëntor 2022, 11:03 Nga e.k
Primaret në PD/ Lindita Toma shpall kandidaturën për
Lindita Toma

TIRANË- Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas Kurbin Lindita Toma ka shpallur kandidaturën e saj për të marr pjesë në procesin e primareve nga ku do të dalë dhe emri i kandidatit të opozitës për bashkinë e Kurbinit. Në një deklaratë nga selia Blu Toma tha se do të punonte për të ja kthyer bashkinë qytetarëve dhe se synimi i saj është kthimi i shpresës tek qytetarët e Kurbinit. Deri më tani Toma është kandidatja e vetme për primaret e Partisë Demokratike për bashkinë Kurbin.

"Pas një reflektimi serioz dhe komunikimi të përditshëm me demokratë dhe qytetarë të zones, kam vendosur që të bëj publike Kandidaturën time në procesin e PRIMAREVE, inovacion i sjellë për herë të parë nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Si një qytetare, nënë dhe bashkëshorte, ndiej përgjegjësi morale për t’u shërbyer qytetarëve Kurbinas pa interesa personalë", tha Toma

DEKLARATA:

Të dashur miq,
Unë jam Lindita Toma, lindur dhe rritur në qytetin e Laçit.
Kam mbaruar Shkollën e mesme Ekonomike në Tiranë, më pas ndoqa studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Finance-Kontabilitet, ku edhe përfundova Masterin Profesional Kontabilitet-Auditim. Kam qenë e angazhuar që në moshë të re në strukturat e Partisë Demokratike dhe të Lidhjes Demokratike të Gruas, duke u votuar se fundmi si Kryetare.
Gjithashtu kam qenë mjaft aktive në aksionet politike te PD. Vij nga një familje e respektuar autoktone kurbinase, me kontribut të rëndësishëm në Partinë Demokratike prej 31 vitesh.

Pas një reflektimi serioz dhe komunikimi të përditshëm me demokratë dhe qytetarë të zones, kam vendosur që të bëj publike Kandidaturën time në procesin e PRIMAREVE, inovacion i sjellë për herë të parë nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Si një qytetare, nënë dhe bashkëshorte, ndiej përgjegjësi morale për t’u shërbyer qytetarëve Kurbinas pa interesa personalë.

Arsyet e kandidimit tim janë mjaft te qarta. Do te punoj për të kthyer Bashkinë KURBIN përsëri në shërbim të qytetarëve Kurbinas, do të punoj fort për t’i thënë jo propagandës që ka kapluar vendin,
do të punoj për të afruar sa më shumë rolin e numrit 1 të Bashkisë me qytetarët. Kërkoj me ngulm të kthej shpresën te qytetarët Kurbinas dhe t’u tregoj atyre që ne mund t’ia dalim.
Qëllime të tjera shumë me rëndësi të kandidimit tim janë:

1. Punësimi i të rinjve
2. Vlerësimi i intelektualëve
3. Mbështetja e qytetarëve me aftësi ndryshe
4. Përkrahja e qytetarëve në nevojë
5. Shfrytëzimi i sajteve turistike pa thyer ligjin
6. Zhvillimi i turizmit
7. Mbështetja e bujqësisë dhe blegtorisë, degë ekonomike me rëndësi të madhe per Kurbinin
8. Bashkëpunimi i Bashkisë Kurbin me biznesin e vogël, te mesem e te madh.

U bëj thirrje qytetarëve Kurbinas të marrin pjese në procesin e PRIMAREVE për të treguar që populli vendos dhe populli zgjedh më të mirin. Së fundmi, iu bëj thirrje të marrim pjesë në protestën kombëtare të datës 12 Nëntor, si një mënyrë për largimin e së keqes nga vendi ynë dhe rikthimin e shpresës në vatrat tona.
BASHKE PER TE ARDHMEN! FALEMINDERIT NGA ZEMRA.

Procesi i primareve në Partinë Demokratike do të përfundojë brenda datës 4 dhjetor, ditë kur do të mbahen votimet. Arjan Hoxha, kryetar i Partisë Demokratike në Kamëz shpalli kandidimin për Primaret e PD. Deri më tani janë bërë publike disa kandidime. Në Tiranë janë 5 emra: Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti dhe ish-deputetët Kujtim Gjuzi e Gert Bogdani. Asllan Dogjani prezantoi kandidaturën e tij për Primaret që do zhvillohen për Bashkinë Kamëz bashkë me Shemsi Prençin dhe Arjan Hoxhën. Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Fisnik Qosja dhe ish-kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja, janë dy emrat që kanë depozituar kandidimin për Kavajën. Bardh Spahia kërkon një mandate të plotë në krye të Shkodrës. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj ka dorëzuar kandidaturën për primare për Bashkinë e Tropojës. Ditën e sotme dorëzoi kandidaturën e saj për bashkinë e Kurbinit dhe Lindita Toma. Ndërkohë për bashkinë e Fierit deri më tani kanë shpallur kandidaturën Artur Mahmutaj, Edvar Kodheli dhe Albano Zhapaj. Ndërkohë për bashkinë e Peqinit ka paraqitur kandidaturën e tij Mustafa Pashja. Ndërkohë ditën e djeshme Spiro Vaso shpalli kandidaturën e tij për bashkinë e Sarandës.

lindita toma primaret ne pd

Sondazh

Poll