Politike

Dialogu Kosovë-Serbi, Rama: Dakord me planin franko-gjerman, flisni me Beogradin që mos të humbni aleatët

Rama shkruan në 'Twitter', se mbështet plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman. Ai bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog me Serbinë, në të kundërt do të humbasin aleatët.

7 Nëntor 2022, 16:29 Nga A.B
Dialogu Kosovë-Serbi, Rama: Dakord me planin franko-gjerman, flisni me
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve që janë krijuar ditët e fundit në veri të Kosovës. Kreu i Qeverisë shqiptare, shkruan se i ka ndjekur me shqetësim të madh situatën e acaruar që është krijuar në Kosovë si dhe shton se duhet që të bashkohemi me qëndrimet që mban SHBA dhe BE. 

Rama shkruan në 'Tëitter', se mbështet plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman. Ai bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog me Serbinë, në të kundërt do të humbasin aleatët.

POSTIMI I RAMËS:

Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë SHBA&BE Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe DIALOG

Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët!

ÇFARË PO NDODH NË VERI TË KOSOVËS?

Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar pasi Qeveria nisi të zbatojë planin me 3 faza për regjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në Republikën e Kosovës. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe. Këto targa i lëshon Serbia dhe kanë akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera. Mirëpo, ky regjistrim është shoqëruar me incidente në veri të Kosovës. Serbët që po ri regjistrojnë makinat në RKS, po u digjen makinat.  Lista Serbe paralajmëroi se do të tërhiqej nga të gjithë institucionet në veri. Të shtunën ishin efektivët serbë në Policinë e Kosovës në Mitrovicë ata që dorëzuan detyrën dhe në shenjë simbolike hoqën uniformat. Sot ata dorëzuan armët pranë Rajonit të Policisë në Zveçan ndërsa Lista Serbe dorëzoi mandatet në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka deklaruar që nuk do të heqë dorë nga marrëveshja për targat, ndërkohë që SHBA dhe BE kanë mbërë thirrje për maturi duke dënuar veprimet e Serbisë në Veri.

Plani Franko-Gjerman, synon arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht, mirëpo Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë njohuri për një propozim të tillë.

Vuçiç tha më 8 tetor se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai deklaroi se Serbia nuk do të “poshtërohet më tej dhe nuk do të detyrohet ta njohë zyrtarisht Kosovën”.

edi rama tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll