Politike

Rama kundërshton edhe 'Zërin e Amerikës': Maska rublaxhinjsh a gjobaxhinjsh kundër qeverisë, na pengoni të tregojmë punën

Sipas Ramës, censura në fakt po i bëhet qeverisë, që po të mos kishte rrjetet sociale, nuk do të mund të tregonte punën e bërë prej saj. 

2 Nëntor 2022, 19:36 Nga F.M
Rama kundërshton edhe 'Zërin e Amerikës': Maska
Kryeministri Edi Rama dhe VOA

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka 'shtrirë tentakulat' e kritikave ndaj mediave. Pas 'TopChannel' dhe 'News24', kreu  i qeverisë është ndalur tek 'Zëri i Amerikës' këtë pasdite. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e kryeministrit Edi Rama ka qenë një analizë e VOA-s që flet për lirinë e gazetarëve në Shqipëri, bazuar në raportin e Komisionit Evropian që raportonte për kërcënime e censurime të mediave.

Por, për Ramën nuk është ashtu. Kryeministri e konsideron 'Zërin e Amerikës' një media 'maskë', pjesë e grupit 'rublaxhinjsh a gjobaxhinjsh kundër qeverisë', siç edhe ka etiketuar mediat e tjera. Sipas Ramës, censura në fakt po i bëhet qeverisë, që po të mos kishte rrjetet sociale, nuk do të mund të tregonte punën e bërë prej saj. 

Statusi i Ramës: 

Jam shumë dakord! Fakti është që në Shqipëri nuk ka asnjë media pro-qeveritare dhe shumica dërmuese e tyre janë maska rublaxhinjsh a gjobaxhinjsh kundër qeverisë! Liria e shprehjes është përkeqësuar aq ndjeshëm për qeverinë, sa pa rrjetet sociale s’do tregonim dot 95% të punëve!

Çfarë shkruante sot VOA?

Në analizën e raportuar shkruhej se media në Shqipëri vijon të funksionojë në spiralen e problemeve të reja dhe të mbartura të cilat po dëmtojnë lirinë e shprehjes. Duke cituar raportin e Komisionit Evropian, Zëri i Amërikës shton se ka mangësi që lidhen me pavarësinë e mediave. Gazetarë dhe analistë i thanë Zërit të Amerikës se transparenca e institucioneve është përkeqësuar dhe se tani ka gjithë e më pak informacion mbi kontratat publike me prapavijë korruptive. Edhe media online në gjykimin e tyre kërkon rregullim juridik, për të shmangur fenomene të tilla si shantazhi, presioni dhe anonimati. Ndërthurja e interesave të politikës dhe biznesit vijon të pengojë pavarësinë e saj dhe cilësinë e gazetarisë, thuhet më tej në shkrim.

 

edi rama zeri i amerikes

Sondazh

Poll