Bota

Ekziston rreziku i arratisjes, ZPS kërkon vijimin e gjykimit në paraburgim për Kadri Veselin

Kërkesa drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, argumenton se ky vendim duhet të merret pasi ekziston rreziku i arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve tjera.

1 Nëntor 2022, 10:40 Nga d.a.
Ekziston rreziku i arratisjes, ZPS kërkon vijimin e gjykimit në
Kadri Veseli

HAGË- Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim gjatë gjykimit të tij.

Kërkesa drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, argumenton se ky vendim duhet të merret pasi ekziston rreziku i arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve tjera. Në shkresën e ZPS-së thuhet se gjykatësi i procedurës paraprake dhe Gjykata e Apelit kanë konstatuar në disa raste se paraburgimi i Veselit ishte merituar sipas rrethanave.

“Që nga vendimi më i fundit, më 26 shtator 2022, nuk ka pasur ndonjë rrethanë ndryshimi që do të sugjeronte një përcaktim tjetër dhe Veseli nuk bën asnjë parashtresë me argumentin se paraburgimi nuk është më i garantuar. Mbetet rasti që Veseli është në dijeni për akuzat e rënda kundër tij, për shumicën dërrmuese të provave në bazë të tyre dhe për mundësinë e një dënimi të konsiderueshëm nëse shpallet fajtor. Që nga vendimi i fundit i paraburgimit, shtimi i dëshmitarëve të rinj nga ZPS-ja, zbulimi i dosjeve të mëdha të dokumenteve shtesë në përmbushjen e afatit të 30 shtatorit, si dhe depozitimi i një liste shtesë të Rregullës 102(3), i japin Veselit një pasqyrë të mëtejshme për rastin kundër tij”, theksohet në shkresën e Prokurorisë.

Sipas tyre, ndikimi i Veselit gjithashtu mbetet i pazvogëluar që nga vendimi i fundit i paraburgimit, gjë që mund ta ndihmojë atë në shmangien e procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).

“Vazhdon të ekzistojë rreziku që Veseli të pengojë procedurat. Gjykatësi i procedurës paraprake ka gjetur më parë se Veseli ka ndërhyrë, përmes një ndërmjetësi, në një çështje që përfshin DHSK-në, dhe vazhdon, në bazë të pozicionit të tij të mëparshëm dhe ndikimit të vazhdueshëm, të jetë në gjendje, p.sh., të ketë akses në informacion ose të marrë mbështetjen e të tjerëve”, thuhet në shkresë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

kadri veseli ne hage kosova ne hage nicolas guillou

Sondazh

Poll