Aktualitet

Tjetërsim pronash/ Dënohet me 3 vite burg ish-kryebashkiaku i Lezhës, Frrokaj: Veprim i paparashikuar

Ish-kryebashkiaku i Lezhës dhe ish-kryetari i qarkut Gjok Ndoka, janë dënuar me nga tre vite burg, ndërsa gjykata shpalli fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në Shëngjin.

28 Tetor 2022, 11:32 Nga A.B
Tjetërsim pronash/ Dënohet me 3 vite burg ish-kryebashkiaku i
Fran Frrokaj

LEZHË- Gjykata e Apelit në Shkodër ka dënuar me 3 vite burg, ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj. Ditën e sotme janë dhënë vendimet për ish-zyrtarët e Lezhës dhe përfituesit e tokës, të akuzuar për tjetërsim prone zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin.

Për mediat, Frrokaj është shprehur se vendimi ishte i papritur.

'Ishte veprim i paparashikuar për mua'- ka thënë ish-kryetari i Bashkisë. Nuk dihet nëse vendimi do t'i konvertohet Frrokajt në shërbim prove mirëpo pritet që nga momenti në moment të kryhet arrestimi i tij. 

Ish-kryebashkiaku i Lezhës dhe ish-kryetari i qarkut Gjok Ndoka, janë dënuar me nga tre vite burg, ndërsa gjykata shpalli fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Frrokaj u dënua fillimisht me katër vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, pasi u arrestua në muajin mars të vitit 2018 me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Më pas gjykata vendosi që ai të hetohet në gjendje të lirë. 

Prokuroria dërgoi në gjykatë rreth 20 të pandehur, mes tyre edhe xhaxhain e ish-deputetit Arben Ndoka, Gjon Ndokën, pasi akuzohet për tjetërsim të pronave në Kune dhe Malin e Reçit në Lezhë. Fran Frrokaj dhe zyrtarët e arrestuar akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.

fran frrokaj tjetersimi i pronave ne lezhe

Sondazh

Poll