Politike

Si do ndahen bashkitë në Primare mes PD-PL? Berisha: Synimi fitorja, mbajeni shënim. Meta: Do gjendet mënyra, kjo s'është luftë për pushtet

Berisha tha se synimi është fitorja. Ndërsa Meta u shpreh se kjo nuk është një luftë për pushtet mes tyre.

27 Tetor 2022, 13:02 Nga F.M
Si do ndahen bashkitë në Primare mes PD-PL? Berisha: Synimi fitorja,
Sali Berisha dhe Ilir Meta

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha dhe Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta kanë treguar se bashkitë do të ndahen në mënyrën më të mirë të mundshme mes tyre, por pa treguar konkretisht mënyrën. I pyetur se sa terren do t'i lërë PD-ja PL-së, Berisha tha se synimi është fitorja. Ndërsa Meta u shpreh se kjo nuk është një luftë për pushtet mes tyre.

Pjesë nga konferenca:

Në sa prej bashkive është e gatshme PD të tërheqë kandidatë që t'i lërë terren PL-së në Primare? Sa bashki mendoni se do t'i dhuroni koalicionit të 14 majit? 

Sali Berisha: Çdo gjë mbi bazën e kuadrit të marrëveshjes do përcaktohet nga grupet e zbatimit të marrëveshjes. Një gjë është e sigurt, që marrëveshja synon fitoren. Kjo është marrëveshja e fitores. Shkoni e mbani pak një konferencë të pala tjetër. Nuk del dot. Ta marrë Erionin, Edi Rama në krah dhe të dalë të thotë se si hyjnë në këtë fushatë.

Ilir Meta: Nga ana ime mund t'ju them, përsa i takon Partisë së Lirisë, objektivi kryesor është çmontimi i këtij regjimi monist dhe ndëshkimi i tij nga të gjithë qytetarët, që nga ata që përjetuan tmerrin e shembjes së Teatrit me artistët brenda, deri tek qytetarët e Tropojës e Sarandës. Ne nuk e shohim si marrëveshje për ndarje pushtetesh. Për ne ka rëndësi të kthejmë besimin tek qytetarët. Marrim këtë angazhim madhor për çështjen e referendumit. Është një garanci historike dhe do të realizohet patjetër, për asnjë parti nuk do të ketë asnjë shqetësim. Do të gjendet mënyra më e mirë. 

Sali Berisha: Mbani shënim, është marrëveshja më e përsosur në përputhshmëri e firmosur ndonjëherë, kjo garanton suksesin e saj. 

sali berisha ilir meta pakti pd-pl zgjedhjet lokale 2023

Sondazh

Poll