Politike

Shehajt i bllokohet biznesi, e denoncon në Kuvend: Sulm politik. Rama: E kishe në ndërtesë pa leje

Debati ka vijuar dhe në foltoren e Kuvendit ku deputeti demokrat denoncoi atë që e quan si një hakmarrje politike të kryeministrit Rama. Deklarata e tij u shoqërua me debate të forta mes tij dhe drejtueses së seancës, Ermonela Felaj dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla.

20 Tetor 2022, 17:15 Nga F.M
Shehajt i bllokohet biznesi, e denoncon në Kuvend: Sulm politik. Rama: E
Agron Shehaj dhe Edi Rama

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka denoncuar bllokimin e biznesit të tij. Në një postim në Facebook Shehaj ka publikuar dhe foto ku shihet që Policia e Shtetit ka vendosur shiritin e verdhë. Sipas Shehajt, forcat e policisë i kanë rrethuar biznesin me dhunë pasi ai ka denoncuar ministren Olta Xhaçka për shpalljen e bashkëshortit të saj si investitor strategjik. 

Debati ka vijuar dhe në foltoren e Kuvendit ku deputeti demokrat denoncoi atë që e quan si një hakmarrje politike të kryeministrit Rama. Deklarata e tij u shoqërua me debate të forta mes tij dhe drejtueses së seancës, Ermonela Felaj dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla. Kreu i grupit të PS e quajti të papranueshme dhe të tmerrshme faktin që një deputet del del në Kuvend dhe flet për biznesin e tij. Ndërkohë nga ana tjetër Felaj paralajmëroi një masë displinore ndaj tij. 

Por përgjigjen deputeti i PD e mori dhe nga ai që e "shigjetoi" si përgjegjësin kryesor, kryeministri Rama. Kreu i qeverisë zgjodhi t'i përgjigjej në Twitter ku shkruante se biznesi i deputetit është mbyllur nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) pasi sipas tij ndërtesa ku Shehaj kishte zyrat ishte pa leje. Rama nuk kurseu as ironitë teksa e cilësoi si një ballist foltoreje.

Postimi:

Pasi denoncova në Kuvend shpalljen investor strategjik me mashtrim dhe me firmë të Edi Ramës të ministres së Jashtme Olta Xhacka. Pasi denoncova ortakërinë midis kompanisë përfituese të tenterave të dhëna nga Daminan Gjiknuri dhe kushëririt të tij dhe shpalljen e tyre investitorë strategjikë po nga Edi Rama, Kryeministri reagoi në mënyrën më brutale të mundshme; dërgoi policinë e tij të më bllokonin biznesin, me qëllim që unë të hesht. Ky është një sulm i pastër politik sepse thjeshtë kam thënë të vërtetën për aferat korruptive të kryera më firmën e tij. Kjo është kompania ime “ëe ëeb Developers” ku rreth 200 të rinj punojnë në fushën digjitale dhe të programimit. Rama dërgoi policinë në ambjentet me qera të kompanisë dhe ka nxjerrë jashtë me forcë punonjësit, dhe ka bllokuar aksesin. Policia nuk ka dorëzuar asnjë dokument apo akt në lidhje me bllokimin në shkelje flagrante të ligjit.

Kërkesave zyrtare për t’u njohur me arsyet e bllokimit, gjithashtu nuk iu janë përgjigjur. Pas ankesës në Prokurori, jemi njoftuar zyrtarisht se Prokuroria nuk ka urdhëruar asnjë sekuestro dhe se në Prokurori nuk është referuar nga Policia asnjë akt që lidhet me sekuestro. Kompania ka kërkuar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë pezullimin e këtyre veprimeve arbitrate të Policisë së Shtetit, dhe kemi paraqitur në SPAK kallëzim penal për drejtuesit e Policisë së Shtetit për shpërdorim detyre. Përmes dhunë së Policisë, qeveria kërkon të më mbyllë gojën. Nxjerrja e punonjësve jashtë me polici dhe dhunimi i paligjshëm i ambienteve ishte e vetmja gjë që Edi Rama mund të bënte ndaj meje, dhe atë bëri. Nuk pres dhe nuk ju kërkoj që këta të tërhiqen. Të drejtën do ta kërkoj në Prokurori, në SPAK, në Gjykatë, në Shqipëri ose në Strasburg. Ju garantoj se do i shkoj deri në fund. Por për një gjë të jenë të sigurt, unë nuk tërhiqem. Sepse nuk kam asgjë për të fshehur, sepse nuk jam në shitje, sepse them thjeshtë të vërtetën, sepse këtë duan shqiptarët.

 

agron shehaj olta xhacka

Sondazh

Poll