Aktualitet

Sekuestrohet apartamenti me vlerë 270 000 euro, në pronësi të një 32-vjeçari i dënuar për trafik droge (EMRI)

Apartamenti ndaj të cilit është vendosur sekuestro preventive ka një vlerë prej 270 mijë Euro dhe është në pronësi të Marsel Korreshit, 32 vjeç nga Lushnja.

20 Tetor 2022, 16:27 Nga k.m.
Sekuestrohet apartamenti me vlerë 270 000 euro, në pronësi
Prokuroria e Lushnjës

TIRANË- Një apartament është sekuestruar në Tiranë me vendim gjykate pasi dyshohet se është blerë me të ardhura nga aktiviteti kriminal. Konkretisht, apartamenti ndaj të cilit është vendosur sekuestro preventive ka një vlerë prej 270 mijë Euro dhe është në pronësi të Marsel Korreshit, 32 vjeç nga Lushnja. Ai ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe dyshohet se rezulton që pasuria e 32-vjeçarit ka si burim veprimtari kriminale.

NJOFTIMI I PLOTË:

Lushnjë / Sekuestrohet apartamenti me vlerë 270 000 euro, i dyshuar i përfituar nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera nga një 32-vjeçar.

Nga specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, i datës 03.10.2022, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurisë së shtetasit M. K., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Nga veprimet hetimore rezulton se pasuria e 32-vjeçarit ka si burim veprimtari kriminale.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i një pasurie të paluajtshme (apartament në Tiranë), me vlerë 270 000 euro. Vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe të personave të lidhur me të.

prokuroria e lushnjës lushnje marsel korreshi

Sondazh

Poll