Aktualitet

“O jetojmë ne, ose ata, fundi do jetë kanuni”, banorët e Postribës kundër ndërtimit të gurores, protestë para Avokatit të Popullit

Banorët shprehën pakënaqësi për mungesën e veprimeve nga ana e Avokatit të Popullit sa i takon ankesave të tyre dhe deklaruan se nëse asnjë institucion nuk do merrte masa për ndalimin e ndërtimit të kësaj guroreje, atëherë, banorët do të bazoheshin në zbatimin e kodeve të kanunit.

20 Tetor 2022, 16:05 Nga e.k
“O jetojmë ne, ose ata, fundi do jetë kanuni”,
Pamje nga protesta

SHKODËR- Banorët e fshatit Postribë të Shkodrës kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme para institucionit të Avokatit të Popullit, ku kanë kërkuar përgjigjie për paditë e tyre të bëra kundër ndërtimit të gurores që rrezikon të shkatërrojë të gjithë ekosistemin e zonës, duke ndotur edhe ujin e pijshëm.

“Ky është uji që pijnë fëmijët tanë. Këta po na vrasin ne. Avokati i Popullit duhet të reagojë përderisa institucionet shtetërore nuk po na e zgjidhin këtë problem. Supozohet që ai të na zgjidhë problemet jo të heshtë. Nuk jemi pritur në zyrën e tij. Që në gusht e kam marrë në telefon dhe nuk ma hap telefonin. Nuk përgjigjet askush', tha një banor.

Banorët shprehën pakënaqësi për mungesën e veprimeve nga ana e Avokatit të Popullit sa i takon ankesave të tyre dhe deklaruan se nëse asnjë institucion nuk do merrte masa për ndalimin e ndërtimit të kësaj guroreje, atëherë, banorët do të bazoheshin në zbatimin e kodeve të kanunit.

"Këtu është burimi ku pijnë ujë 2 mijë banorë, ndërkohë në krah ka edhe varreza shumë shekullore që rrezikohen të zhduken. Ne kërkojmë reagimin e drejtësisë. Besoj se fundi do jetë te kanuni, o do jetojmë ne ose ata. Kemi kaq vite që nuk gjejmë drejtësi, prandaj ne do të detyrohemi të përdorim kanunin,” u shprehën disa prej banorëve që protestuan", tha një banor tjetër.

postribe banoret e postribes proteste

Sondazh

Poll