Aktualitet

Prokuroria e Tiranës dhe AMP: Lear Kurti vdiq se gëlltiti kokainë, efektivët s'e dhunuan

Fillimisht shpjegohet se i riu Kurti është parë në rrugën “Riza Çuka” dhe efektivët e komisariati nr.3 e kanë ndaluar për kontroll. I riu ka vrapuar dhe dhe pas 200 metrave është kapur dhe është çuar në komisariatin nr.3 të Policisë së Tiranës, ku sipas njoftimit ka shfaqur probleme shëndetësore.

20 Tetor 2022, 15:38 Nga F.M
Prokuroria e Tiranës dhe AMP: Lear Kurti vdiq se gëlltiti
Agjencia e Mbikqyrjes Policore

TIRANË- Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikqyrjes Policore kanë dalë me një njoftim të përbashkët në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, ngjarje e ndodhur gjatë orëve të voa të natës së kaluar. Në njoftimin sqarues përshkruhet me detaje gjithë itinerari i efektivëve të policisë që është dokumentuar nga pamjet filmike të pesë kamerave të sigurisë së bizneseve në rrugën ku dhe ka ndodhur ngjarja. Fillimisht shpjegohet se i riu Kurti është parë në rrugën “Riza Çuka” dhe efektivët e komisariati nr.3 e kanë ndaluar për kontroll. I riu ka vrapuar dhe dhe pas 200 metrave është kapur dhe është çuar në komisariatin nr.3 të Policisë së Tiranës, ku sipas njoftimit ka shfaqur probleme shëndetësore. Më pas, efektivët e kanë dërguar në spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës. Në njoftim, Prokuroria dhe AMP sigurojnë që efektivët nuk kanë ushtruar dhunë mbi të riun dhe se në stomak i është gjetur një qese e çarë, e cila dyshohet se ka pasur kokainë.

Njoftim i përbashkët për media i Prokurorisë Tiranë dhe AMP: Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprimet hetimore proceduriale në lidhje me ngjarjen ku shtetasi L.K., 32 vjeç ndërroi jetë pasi u shoqërua nga punonjës policie të Komisariatit Nr.3 Tiranë gjatë një kontrolli rutinë, nga të cilat rezulton se: Në datë 19.10.2022, ora 23:07, punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.

Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasi është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar. Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta. Në vijim, pasi është qetësuar, shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës. Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar i gjithë itenerari dhe veprimet e punonjësve të Policisë nga momenti kur shtetasit i kërkohet të identifikohet deri në shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të policisë Nr 3.

Ky itenerar pasqyrohet në pamjet filmike të admnistruara nga 5 kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shtetas shokë të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë. Nga veprimet hetimore në vazhdim janë dhe këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nga e cila nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes. Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5x5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore.

Gjithashtu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit L.K., 32 vjeç. Për sa më sipër, AMP nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon hetimet për të sqaruar dhe zbardhur shkakun e vdekjes dhe rrethana të tjera të ngjarjes.

vdes lear kurti lear kurti

Sondazh

Poll