Politike

Vdekja e Lear Kurtit, Partia e Lirisë: Ministri i Brendshëm të japë menjëherë dorëheqjen

Blushi u shpreh se PL dënon aktin kriminal të policisë së shtetit, si dhe shtoi se Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi. 

20 Tetor 2022, 13:46 Nga A.B
Vdekja e Lear Kurtit, Partia e Lirisë: Ministri i Brendshëm të
Tedi Blushi

TIRANË- Partia e Lirisë kërkon dorëheqjen e ministrit të brendshëm, Bledi Çuçit. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi shprehu ngushëllime familjes së Lear Kurtit, i cili gjeti vdekjen pas shoqërimit nga policia. Ai u shpreh se PL dënon aktin kriminal të policisë së shtetit, si dhe shtoi se Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi. 

REAGIMI I TEDI BLUSHIT:

Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit Lear Kurti, dënojmë me ashpërsi aktin kriminal të përsëritur të vrasësve me uniformë të Policisë së Shtetit, që po u marrin jetën të rinjve shqiptarë në rrugë dhe në ambientet e Komisariateve, si Klodian Rasha dhe Ilvi Meta.

Humbja e një jete në një moshë kaq të re është jo vetëm një tragjedi familjare por trondit thellë besimin e të gjithë qytetarëve tek organet ligjzbatuese, misioni i të cilave është pikërisht mbrojtja e jetës, rendit dhe sigurisë publike. Bëjmë thirrje për zbardhjen sa më parë të rrethanave të vdekjes tragjike të të riut Lear Kurti dhe vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për këtë tragjedi të pajustifikueshme! Kjo ngjarje kaq tragjike, që ka tronditur sërish opinionin publik nuk do të jetë e fundit sa kohë në pushtet të jetë Edi Rama, Bledi Çuçi dhe falangat e tyre të inkriminuara në Policinë e Shtetit, që udhëhiqen me parimin: “Pa krim nuk ka zhvillim”.

Ndaj u bëjmë thirrje të gjithë të rinjve në mbarë vendin të shprehin revoltën e tyre të fuqishme ndaj kësaj vrasje mizore që rëndon në ndërgjegjen e Edi Ramës dhe Bledi Çuçit. Ministri i Brendshëm duhet të japë menjëherë dorëheqjen!

Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnate kur i riu ishte duke lëvizur në rrugën “Riza Cuka” në këmbë i vetëm. Policia i kërkoi të ndalonte por ai është larguar me vrap. Patrulla nisi ta ndiqte dhe e prangosi pranë një marketi në rrugën "Don Bosko". Pas ndalimit ai u shoqërua për në komisariatin e Policisë nr.3 ku ka nisur të ndihet keq. Për gati 5 minuta, atje i riu ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe më pas policia duke mos pritur autoambulancën e dërgoi në spital me makinë policie. 

Gjatë rrugës për në spital ai ka shfaqur probleme shëndetësore (dridhje dhe nxjerrje sekrecionesh). Por ajo që është e paqartë është vendi i vdekjes. AMP deklaron se vdiq në spital, ndërsa Spitali i Traumës thotë se i riu kishte ndërruar jetë kur mbërriti atje. Trupi ndodhet tashmë në morg ku pritet ti nënshtrohet ekspertizës së thelluar.

partia e lirise vdes lear kurti

Sondazh

Poll