Sport

Elbasanit i "kthehet" futbolli…

Skuadra e re luan në "Elbasan Arena" edhe pse në Kategorinë e Dytë

19 Tetor 2022, 12:38 Nga DOSJA

Elbasanit i "kthehet" futbolli…

ELBASAN - Problemet e mëdha financiare të skuadrës historike të futbollit shqiptar të Elbasanit, fitues i dy titujve kampion, dy Kupave të Shqipërisë dhe një Superkupe, sollën bllokimin e kësaj shoqërie nga drejtoria e tatimeve, duke lënë në fillim të sezonit një nga qytetet më të mëdha dhe përfaqësues në vend, pa një skuadër futbolli pjesëmarrëse në edicionin e ri 2022/2023.

Mosmarrëveshjet me drejtuesit e skuadrës aktuale, për të gjetur një bashkëpunim me autoritetin lokale, e detyruan Bashkinë e qytetit të Elbasanit, që dy vite më parë të krijojë një tjetër shoqëri aksionere, AF Elbasani, skuadra që sot ka filluar futbollin shqiptar nga zero, por që është e vetmja që përfaqëson qytetin në kampionatin shqiptar të futbollit.

“Ekipi tjetër, që ishte kishte problem të mëdha financiare ishte drejt zhdukjes. Kjo ishte dhe arsyeja që kryetari i Bashkisë së Elbasanit krijoi klubin e ri të qytetit, pasi kjo mund të ishte shpresa e vetme e qytetit për të patur një skuadër futbolli. Stadiumi që i mungonte sportdashësve dhe tifozëve elbasanas është realitet dhe ne e kemi në dispozicion për të luajtur të gjitha ndeshjet edhe pse militojmë në një kategori të ulët, kështu që nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të fitojmë në fushën e lojës,”- shprehet për Top Channel, drejtori sportive Elton Guranjaku i kësaj skuadre të re.

Elbasanit i "kthehet" futbolli…

“Skuadra e Elbasanit që nga viti 2015 ka zbritur nga Kategoria Superiore për të mos u ngjitur më, duke patur gjatë kësaj periudhe disa ulje në kategorinë e dytë dhe ngjitje në të parën, por pa mundur të prekë më Superioren. Sot kjo skuadër e re e krijuar ka filluar gjithçka nga zero, por për drejtuesit duket se rëndësi ka rikthimi i futbollit në qytet,”- vazhdon ai.

“Eshtë rikthyer futbolli në qytet, na kishin munguar edhe ne këto emocione. Tashmë kemi një skuadër që militon në Kategorinë e Dytë ndaj shpresojmë dhe urojmë që këtë vit të ngjitemi në të parën”.

Sa rrezikon që kjo nismë të jetë thjeshtë një eksperiment?

“Nuk besoj se është ekpseriment, pasi kjo është krijuar si një shoqëri aksionere, ku aktualisht është Bashkia e Elbasanit 100% aksionere, por mund të vijë dita që këto aksione të dalin në shitje. Besoj që nuk është rastësi dhe nuk është momentale, shpresojë që të jetë diçka më tepër”,- shprehet drejtori sportive Elton Guranjaku.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll