Politike

FOTO/ Rama i mëson online Taulantit si të diskreditojë kundërshtarin

Rasti i Ramës është kur kopja bëhet më e mirë se origjinali.

14 Tetor 2022, 13:17 Nga Dosja
FOTO/ Rama i mëson online Taulantit si të diskreditojë
Fotot

TIRANE- Me një foto bardhezi të shkëputur nga ndonjë seancë parlamentare e periudhës 2009 – 20011, kur Berisha ishte Kryeministër, Meta Zëvendës dhe Basha ministër, Edi Rama, i ka kujtuar opozitës financimet ruse.

”Rublat vazhdojnë të flasin mbrapsht në Tiranë, siç folën në 2011 përmes votës KUNDËR Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe PRO Rezolutës famëkeqe, që lemerisi botën me shkulësit e organeve shqiptarë! Opozita e rublave është e zhytur shumë më thellë se sa duket në thesin e parave ruse…”, shkruan Rama, në hapësirën e 140 karaktereve, për të nxjerrë inatin me pritjen e keqe që opozita i bëri shfaqjes së tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Në fakt, ashtu si tezat e fjalimit në Strasburg, as fotoja nuk ishte gjetje origjinale. Taulant Balla e ka publikuar në Facebook 15 orë përpara tij. E ka shoqëruar me të njëjtat akuza, të renditura më gjatë, në një status mërzitshmërisht përsëritës.

Rasti i Ramës është kur kopja bëhet më e mirë se origjinali. Pasi i ka marrë foton Taulantit, ia ka hequr ngjyrat me mjeshtërinë e një përdoruesit profesionist të filtrave, e ka shkurtuar mesazhin me mjeshtrinë e demagogut profesionist dhe e ka hedhur në Twitter. Ndoshta më parë ka tentuar ta hedhë ne Facebook, por nuk ia ka pranuar për shkak të të drejtave të autorit që Taulanti i mbron me zell.

Gjithsesi, mbetet një leksion se si demantohet kundërshtari, për kryetarin e grupit, që duket se aspiron të bëhet edhe i partisë një ditë. Një mësim që ustai i propagandës, i bën cirakut për t’i treguar edhe arsyen pse ai është Kryetar partie dhe ky aspirant i ndrojtur./Dosja.al

edi rama taulant balla

Sondazh

Poll